Stoli i Partizanit. Dalin në dritë dy alternativat

0
SHPËRNDAJE


Edhe pse Partizani vijon të jetë në garë për titullin kampion, klubi i kuq po mendon që tani për sezonin e ardhshëm. Jo, nuk e kemi fjalën për merkaton e verës, por për stolin. Trajneri Sulejman Starova ka bërë një punë të mirë në kryeqytet, sepse skuadra e tij aktualisht ndan kreun me Kukësin me nga 55 pikë në tabelën e klasifikimit, por duket se “Bobi” nuk e përballon më punën e përditshme me futbollistët. Ai ka rënë dakord që sezoni i ri ta gjejë Partizanin me një trajner të ri.

Kështu, “Telesport” bën me dije se në tavolinën e presidentit Gazment Demi po shqyrtohen dy kandidatë: trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, dhe një italian, emri i të cilit ende nuk është i konfirmuar. Për shkodranin mos u surprizoni! Edhe pse ai më parë ka pasur probleme me Starovën, çdo keqkuptim ndërmjet tyre është hedhur pas shpine. Madje, bisedimet kanë nisur dhe kjo është arsyeja pse Cungu u ka thënë lojtarëve të tij te Vllaznia që ta durojnë edhe dy muaj.

Ky lajm nuk ka për qëllim shpërqendrimin e Partizanit apo Vllaznisë në synimin e tyre për të bërë mirë në nëntë ndeshjet e fundit të kampionatit, por është vetëm një informacion i ardhur nga burime të sigurta pranë skuadrës nënkampione të Shqipërisë. Starova po përgatitet të hapë rrugë dhe me siguri që do të marrë një rol tjetër në zyrat e klubit të kuq. Pra, trajneri i ri i Partizanit do të jetë basti i radhës për të ardhmen e skuadrës dhe jo një pasojë e punës së “Bobit”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.