Superiorja, kur golat vijnë nga krahu i djathtë

0
SHPËRNDAJE

Slavko Lukić
Slavko Lukić

Superiorja/ Veç sulmuesve dhe mesfushorëve në këtë sezon golat dhe asistet kanë ardhur edhe nga krahu i djathtë i mbrojtjes. Ashtu si nuk kishte ndodhur të paktën në 7-8 sezonet e fundit, në sezonin aktual mbrojtësat e krahut të djathtë kanë qenë deçizivë duke ndihmuar skuadrat e tyre jo vetëm në lojën difensive, por edhe atë ofensive. Le të fillojmë duke marrë si shembull mbrojtësin e Teutës, Slavko Lukić. Serbi i durrsakëve këtë sezon i ka mahnitur të gjithë me aftësitë e tij duke qenë një nga pikat më të forta të ekipit që drejtohet nga Gugash Magani. Jo vetëm që Lukić është shumë i fortë edhe në prapavijë, por ai është lojtari që merr përsipër të ekzekutoj çdo goditje standarte duke qenë shpesh herë rezultativ në shumë takime. Shumë ndeshje skuadra e Teutës i ka zgjidhur falë këmbëve të Lukić që i ka dhënë shumë pikë durrsakëve me golat dhe asistet e tij. Goli ndaj Partizanit në ndeshjen e fazës së dytë ndoshta ka qenë një nga gjërat më të bukura që ka bërë këtë sezon.

Arbnor Fejzullahi
Arbnor Fejzullahi

Gjithashtu një tjetër mbrojtës që ka qenë rezultativ është edhe Arbnor Fejzullahi. Pas disa problemeve në fillim të sezonit me rolin e tij ku aktivizohej dhe si mesfushor, në pjesën e dytë të sezonit mbrojtësi i Partizanit është rikthyer rezultativ ashtu si të gjithë prisnin. Ngritja e tij filloi në derbi teksa ishte protagonist absolut me 1 gol dhe 1 asist të dhënë duke treguar se tashmë lojtari ishte rikthyer ai që ishim mësuar të shihnim në fushë. Jo vetëm për këto në derbi, por edhe në ndeshjen ndaj Bylis Fejzullahi vazhdoi me paraqitjet e tij të mira duke dhënë sërish një asist por ajo që bind më shumë është paraqitja e tij duke qenë një garanci në krahun e djathtë.

Kristi Vangjeli
Kristi Vangjeli

Ndërkohë ata që po shkëlqejnë këtë sezon janë edhe dy mbrojtësit e Skënderbeut, Kristi Vangjeli dhe Marko Radas. Ish mbrojtësi i Kombëtares ka rezultuar deçiziv në ndeshjen më vendimtare për skuadrën korçare. Vangjeli ishte autori i golit të barazimit me golin e tij në minutën e 89′-të në ndeshjen Partizani-Skënderbeu e cila përfundoi me rezultatin 1-1. Ai u shpall edhe lojtari i ndeshjes ku ndikoi jo vetëm goli, por edhe paraqitja e tij fantastike në fushën e lojës. Tashmë mbrojtësi korçar është kthyer edhe në goleador të rëndësishëm në ndeshjet më decizive për skuadrën e tij.

Marko Radas
Marko Radas

Gjithashtu edhe Marko Radas është një nga pikat kyçe të Skënderbeut. Edhe pse ai luan si qëndër mbrojtës pasi aty e vendos trajneri Josa, kroati rolin e tij natyral e ka në krahun e djathtë të mbrojtjes. Për gati 5 sezone Radas ka qënë shumë herë deçiziv me golat dhe asistet e tij. Kroati i kampionëve është një goditës i mirë i goditjeve standarte, duke gjetur shpesh herë edhe golin por duke shërbyer edhe për shokët e ekipit. Në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit ai realizoi një super gol me një goditje të lirë duke treguar kalibrin e tij.

Ademir Souza
Ademir Souza

Ndërkohë duhet përmendur edhe mbrojtësi i huazuar tek Laçi nga Skënderbeu, Ademir Souza. Lojtari ka qenë ndër më të dalluarit tek korçarët, por është duke bërë mjaft mirë edhe tek Laçi. Ndaj Teutës javën e kaluar ai realizoi një gol në humbjen me rezultatin 1-2. Pavarsisht kësaj, ai mbetet një mbrojtës i dalluar në krahun e djathtë të Superiores. Teksa Superiorja duket se nuk vuan për mbrojtësa të djathtë, këtë gjë nuk mund t’a themi për ato të majtë.

Abraham Alechenu
Abraham Alechenu

Ndoshta mbrojtësi i fundit që ka qenë në nivele shumë të larta në këtë krah është Abraham Alechenu i cili është shpallur kampion me Elbasanin, Tiranën dhe Dinamon. Një mbrojtës i majtë si ai me të vërtetë i mungon Superiores. Ai ishte aq cilësor sa thuhej: “Ku shkon Abraham, shkon titulli”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.