Takaj: Çështja e Skënderbeut, e mbyllur

0
SHPËRNDAJE
Loading...

takaj-658x370Skënderbeu nuk rrezikon më asnjë dënim. Ky është besimi i presidentit Ardian Takaj, pas titullit të bujshëm të përdorur nga britanikja “Daily Mail”, se kampionët e Shqipërisë mund të përballen me të tjera ndëshkime, pas akuzave për trukime. Numri 1 i klubit korçar thekson se deklaratat e Shefit të Njësisë Disiplinore dhe të Integritetit të UEFA, Emilio Garcia të dhëna në Konventën Ndërkombëtare të Sportit në Gjenevë të Zvicrës, ishin vetëm një shembull për “Betting Fraud Detection System”, sistemin që monitoron ndeshjet në futboll.

“Në Gjenevë është bërë një seminar, ku është përmendur edhe emri i Skënderbeut, që është dhënë si shembull për masat që janë marrë ndaj një klubi futbolli në çështjen e trukimeve. Ky është informacioni që kam unë për këtë çështje. Por, buja dhe zhurma shumë e madhe në media, normalisht flitet për ekipin kampion dhe ndjeshmëria është shumë e madhe, por është edhe pak e qëllimshme. Nuk duhet të gëzojmë që dënohet një ekip shqiptar, sepse ne jemi promovuesit e sistemit BFDS. Është rasti i parë në të gjithë botën që një klub dënohet nëpërmjet kompjuterave. Skënderbeu, edhe në këto seminare merret si shembull, si masë edhe për dënimet e klubeve të tjera europiane.”

Takaj nuk ndihet i kërcënuar nga situata e krijuar, duke theksuar se dënimi i dhënë për Skënderbeun ishte i formës së prerë.

“Unë e di që institucioni i UEFA funskionon normalisht dhe jo sipas vullneti të personave. Di që është marrë një masë ndaj Skënderbeut, të cilën e dërguam edhe në CAS. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e mori vendimin, i cili është i formës së prerë dhe nuk e di që të ketë praktika të cilat i rikthehen një çështje për herë të dytë.”

Presidenti i 6 herë kampionëve radhazi të Shqipërisë theksoi se megjithë bujën që krijoi deklarata në Gjenevë, çështja mund të quhet e mbyllur.

“Nuk kemi asnjë lloj informacioni për këtë çështje, të cilën e quajmë të mbyllur, prej muajit korrik kur u dha edhe vendimi nga CAS. Kjo është një çështje e mbyllur, dënimin e kemi përfunduar. Pastaj është problem i UEFA, sepse nuk e di në çfarë forme e kanë thënë apo si është prekur çështja e Skënderbeut në atë seminar. Sepse UEFA nuk u mblodh për Skënderbeun dhe është një vendim i saj për këtë çështje. Aty është dhënë një rast, Skënderbeu, siç janë dhënë edhe të tjerë. Por, me sa duket përbën lajm kjo pjesa e Skënderbeut. Disa gëzojnë që Skënderbeu të dënohet, por besoj që kjo çështje është e mbyllur përfundimisht.”

Për të sqaruar pozicionin e klubit që drejton, Takaj tha se Skënderbeu do të kontaktojë në rrugë zyrtare me UEFA për të marrë edhe një përgjigje institucionale si qëndron e vërteta.

“Do t’i dërgojmë një shkresë UEFA, që t’i marrim një përgjigje zyrtare sesi është e vërteta e situatës tonë. Ne e dimë çështje të mbyllur dhe për këtë duam edhe zyrtarisht të marrim një përgjigje nga UEFA sesi qëndron çështja në të vërtetë”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.