Talenti i Vllaznisë përgatit largimin

0
SHPËRNDAJE


Pas Arlind Kalajës, një tjetër futbollist ka mundësi të largohet nga Vllaznia. Bëhet fjalë për sulmuesin Rubin Hebaj. Prej disa kohësh ai është vënë nën vëzhgimin e disa menaxherëve dhe drejtuesve të klubeve të huaja që duan të sigurojnë shërbimet e futbollistit të talentuar. Sulmuesi që muajin e ardhshëm mbush 19 vjeç, ka aktualisht kontratë me klubin shkodran, por në këtë kontratë ka edhe opsione të cilat ia mundësojnë një largim të tillë. Natyrisht që të dhënat e tij janë të tilla që shumë klube duan ta bëjnë pronë të tyre. Nuk ka shumë informacion në lidhje me destinacionin e tij të mundshëm, por burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Hebaj është ndjekur në “Loro Boriçi” nga menaxheri dhe drejtuesit e një klubi ballkanas pikërisht në ndeshjen e fazës së katërt ndaj Partizanit.

Një ndeshje ku ai ka bërë një paraqitje të mirë dhe madje ka shënuar edhe golin e Vllaznisë pas një goditje të saktë me kokë. Por jo vetëm kaq, ka bindur edhe me performancën e tij përgjatë gjithë ndeshjes. Duket se shanset janë të mëdha që ai të firmosë për këtë klub, megjithatë duhet pritur edhe disa ditë. Natyrisht që një largim i mundshëm i Hebajt, do t’i shtonte edhe më shumë problemet për stafin e Vllaznisë që nuk do ketë më pastaj asnjë sulmues tjetër në dispozicion pas largimit edhe të Bakajt e të Pepës. Megjithatë duhet pritur, sepse është kohë merkato dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë. Mbase, edhe klubi shkodran nuk do ta lejojë të largohet, ndonëse klauzolat që janë në kontratë, flasin qartë se lojtari ka të drejtë të largohet për jashtë vendit. Rubin Hebaj është aktualisht anëtar i Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe më parë, pat tentuar të shkonte edhe në Gjermani, duke qenë gjithashtu shumë pranë firmës edhe me Rijekën në Kroaci, por në fund gjërat ndryshuan. Kjo mbase mund të jetë e treta e vërteta për atë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.