Talenti i Vllaznisë Rubin Hebaj nën vëzhgimin e dy menaxherëve kroatë

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Ndeshja ndaj Partizanit ka qenë e tij. Sulmuesi 18-vjeçar ka spikatur me paraqitjen e bërë ndaj skuadrës kryesuese të kampionatit. Rubin Hebaj shënoi një gol shumë vendimtar, sepse shërbeu për t’i dhënë një pikë Vllaznisë në një sfidë shumë të rëndësishme, por ishte edhe shumë pranë një tjetri, kur topi arriti të godasë dy herë tranversën, pa arritur dot ta kalojë vijën fatale. Jo vetëm kaq. Me lojën e tij ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për mbrojtjen kundërshtare, sidomos për dy lojtarët e saj me përvojë, Krasniqi e Malota. Interesant është fakti se në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi”, pasditen e së dielës kanë qenë edhe dy menaxherë kroatë. Ata kishin udhëtuar drejt Shkodrës enkas për të ndjekur këtë lojtar dhe natyrisht që duhet të kenë mbetur të kënaqur me performancën e treguar. Nuk ka informacion nëse Hebaj ka qenë në dijeni për praninë e këtyre menaxherëve në stadium apo jo, megjithatë është përpjekur të japë më të mirën e tij dhe ia ka dalë me sukses.

Duhet thënë se sulmuesi i talentuar shkodran ka tentuar edhe sezonin e kaluar që të kalojë në kampionatin kroat, pikërisht tek Rijeka, por gjërat në fund nuk kanë shkuar mirë, ndoshta edhe pas largimit të dy shqiptarëve të tjerë, që luanin me atë ekip, Balaj e Roshi. Përveçse në Kroaci, Hebaj ka qenë shumë pranë regjistrimit në një akademi futbolli në Gjermani, por duket se ka qenë e thënë që ai të vazhdojë të luajë për Vllazninë. Ajo mund të shërbejë si trampolina më e mirë e një karriere jashtë vendit, çka është edhe dëshira e objektivi i tij i ardhshëm. Katër golat e shënuar deri tani dhe paraqitjet e mira, që ka bërë, natyrisht që kanë filluar të joshin menaxherë të ndryshëm, që duan ta transferojnë këtë futbollist në një kampionat më të fortë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.