Tarik Çmajçanin fundos Flamurtarin, gol trepikësh në të 94-tën

0
SHPËRNDAJE

Debutim për t’u harruar i trajnerit Shpëtim Duro në pankinën e Flamurtarit. Vlonjatët kanë regjistruar një tjetër humbje në kampionat, këtë radhë përballë Teutës në një ndeshje që ishte si një finale e vogël për mbijetesë, pasi të dy ekipet notojnë shumë pranë zonës së ftohtë të klasifikimit.

Në një ndeshje shumë të luftuar, vlonjatët dominuan në kontrollin e topit, por nuk kishin hapësirat e zakonshëm për të shënuar siç ndodhte në ndeshjet e mëparshme, pasi edhe Teuta ishte vendosur mirë në mbrojtje.

Por një gjë që nuk ndryshoi, në krahasim me ndeshjet e kaluara, ishte shpërqendrimi në minutat e fundit, që rezultoi vendimtar, ashtu si në Shkodër një javë më parë. Çmajçanin shfrytëzoi mundëisnë e vetme që iu shfaq dhe arriti të dërgonte topin në rrjetë kur regjistrohej minuta e 94′ e ndeshjes dhe kur sy skuadrat dukeshin të pajtuara me barazimin.

Takimi nis i shpejtë, teksa që në të 5-tën Alves provon me kokë por gjuajtja e tij kalon mbi traversën e portës së portierit Moçka.

Kur po kronometrohej e 13-ta, top i Galiç për kapitenin Telushi, i cili rrëzohet në zonë pas kontaktit me Markoviç. Jemini jep fillimisht 11-metërsh, por pastaj e anulon vendimin e tij mes protestave të vendasve.

Në të 23-tën, një goditje dënimi e kapitenit Telushi nga e majta e sulmit, teksa topi shkon në zonë por Alves nuk arrin ta devijojë drejt kuadratit me sferën që përfundon jashtë.

Galiç bën gjithçka mirë në të 35-tën me një kundërsulm të shpejtë duke arritur deri në hyrje të zonës durrsake ku lëshon një gjuajtje të pakapshme për portierin Moçka, por topi është më i fortë se sa duhet dhe sfera përfundon jashtë ngjitur me shtyllën në të majtë të portierit të Teutës.

Në fundin e pjesës së parë, Telushi provon përsëri me një goditje dënimi, këtë radhë mundohet të gjejë direkt portën, por nuk shënjestron si duhet dhe topi përfundon jashtë.

Fraksioni i parë mbyllet këtu, ndërsa i dyti nis me një ndërhyrje në dy kohë e portierit Moçka ndalon një aksion të rrezikshëm të Alves i cili i ishte drejtuar zonës durrsake.

Loja ndërpritet shpesh, me skuadrat të cilat shkaktojnë faulle por edhe nuk arrijnë të gjejnë hapësira për të rrezikuar portën kundërshtare.

Ndërsa, në të 69-tën, porta e Teutës shpëton për mrekulli. Pas zhvillimit të një goditjeje nga këndi, topi përfundon te Hyseni i cili nga distanca lëshon një predhë të vërtetë e cila ndalet vetëm nga traversa e portës së portierit Moçka ndërsa më pas mbrojtja largon jashtë vijës fundore.

Trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro nuk ka çfarë të humbë më dhe hedh në fushë edhe brazilianin Lynneeker, me shpresën që sulmuesi të gjejë hapësirat për të rrezikuar portën durrsake.

Lojë me shumë fragmente, ku të dy skuadrat tashmë mundohen të mos rrezikojnë pësimin e një goli, ndërsa mundimi i shkon dëm Flamurtarit.

Eshtë minuta e 94-të, dhe e pabesueshme ajo që ndodh në stadiumin “Flamurtari”. Për të dytën ndeshje radhazi vlonjatët goditen në minutat shtesë. Këtë herë është Çmajçanin që përfiton nga një pavëmendje e prapavijës së Flamurtarit për të dërguar topin në rrjetë. 0-1.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Flamurtarin që edhe kur luan mirë nuk di të fitojë, ndërsa Teuta rrallë-herë rrezikoi dhe shënoi në minutën e 94-t, me një supergol nga serbi Tarik Çmajçanin.

Humbje që fundos vlonjatët, sepse tashmë rënia nga kategoria nuk është më një makth i largët, por gjithnjë dhe më pranë, duke parë si fluturojnë kundërshtarët.

Javën e ardhshme, Flamurtari luan në transfertë me Tiranën, ndërsa Teuta pret në shtëpi Korabin. /minuta90.com/

Flamurtari-Teuta 0-1

Goli: Çmajçanin 90’+4

Flamurtari (4-2-3-1): Halili, Beqaj, Jakovljeviç, Veliu, Mersini, Hyseni, Telushi, Galiç (Lynneeker 63’), Neziraj, Fazliu (Kuqi 62’), Alves (Dushku 83’) (në dispozicion: Frashëri, Leal, Radoviç, Llambro) Tr: Shpëtim Duro

Teuta (4-1-4-1): Moçka, Beqja (Hodo 71’), R. Hoxha, Markoviç, Kotobelli, Shkalla (Hila 52’), Progni, Çmajçanin, Dita, Musta, Magani (Ribaj 65’) Tr: Gugash Magani

Gjyqtarë: Lorenc Jemini

Kartonë të verdhë: Dita 25’, Progni 49’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.