Tension te Kukësi, “plas” debati Dervishi-Gjici, flet ish-drejtori

0
SHPËRNDAJE

image-63Ka mjaftuar një deklaratë e presidentit të Kukësit, Safet Gjici, për largimin e ish-drejtorit Dritan Dervishi, që ky i fundit të reagojë sërish, duke zbardhur edhe të pathëna rreth disa lojtarëve. Dervishi ka zbuluar se presidenti Gjici e ka detyruar të firmosë një shkresë ku thotë se nëse Skënderbeu nuk paguan 10 milionë lekë brenda javës për transferimin e portierit Aldo Teqja, atëherë ajo shumë do t’i mbahej ish-drejtorit nga rroga e tij. Mirëpo, në klubin e Kukësit nuk ishin të sigurt nëse korçarët do të paguanin shifrën e kërkuar brenda javës dhe kësisoj Dritan Dervishi la peng pagën e tij.

“Kur shita portierin Teqja, më bëri të firmosja një letër, që po të mos paguante Skënderbeu shumën e shitjes, do ta paguaja unë. Asnjë drejtor nuk ka bërë një veprim të tillë, por e njëjta gjë ndodhi edhe me mbrojtësin Mici. Unë u largova me dëshirën time, jo nga paaftësia, por nga përplasjet që ai kërkonte me mua. Për të mirën e skuadrës ika pa polemika, duke ruajtur respektin për të gjithë klubin, por ai (Gjici) nuk e meriton një gjë të tillë. Italianët kanë një shprehje: “Zotëri lind, nuk bëhesh”. I them të mos merret më me mua, pasi ai thjesht ul punën e tij. Ai më sulmon me argumente të kota ose që nuk ekzistojnë”.

Dervishi tregon edhe një prapaskenë me mbrojtësin Ylli Shameti, i cili firmosi rinovimin e kontratës pas shumë negociatash.

“Gjici ka thënë se jam i paaftë, por vetëm një person jo korrekt mund të thotë ato fjalë, pasi ai ul punën e tij duke më sulmuar. Jam i paaftë se i solla dy mbrojtësit Alla dhe Arbri, mesfushorët Lena dhe Dema dhe poashtu edhe sulmuesin Guri?! Apo se zgjidha në favor të klubit çështjen e mbrojtësit Mici dhe portierit Teqja!? Madje, për këta të fundit solla edhe valutë në klub.

Kam mbajtur në ekip mbrojtësin Shameti, që Gjici i vuri kushte dhe donte ta largonte, ndërsa unë i paafti e binda të firmoste. Të mos harroj trajnerin Gjoka dhe stafin që i ofrova. I them Gjicit të mos merret me mua, pasi humb energjitë që i duhen për të ruajtur vendin e parë. Për një gjë jam dakord me presidentin Gjici, që në futboll dhe sidomos në Kampionatin Shqiptar, ka njerëz që nuk njohin mirënjohje dhe nuk kanë respekt për punën e vartësve. Unë nuk jam mosmirënjohës, por mbroj punën time”.

Më tej ai ka edhe një mesazh për presidentin e Kukësit, Gjici.

“Te Kukësi punoja me pastërti dhe nuk kam zhytur dorën në xhepin e presidentit Gjici, siç bën dikush pranë tij. I them të mos harroj edhe grupin që krijuam së bashku, që po i jep rezultate. E falënderoj për mundësinë që më dha, por boll më, se ul punën tënde. U uroj tifozëve dhe lojtarëve të fitojnë titullin”.

Në fund Dervishi zbulon edhe diçka tjetër.

“Dikush pranë teje po zhyt dorën në xhepin tënd, unë nuk e kam bërë këtë”.

Dritan Dervishi qëndroi te Kukësi për një periudhë 5-mujore, ku afroi shumë lojtarë të rëndësishëm, siç theksohet edhe në intervistën e mësipërme. /minuta90.com/

dritan-dervishi-470x313

S'KA KOMENTE

Comments are closed.