Tërbuni mund Mamurrasin në miqësore

0
SHPËRNDAJE

Tërbuni e ka shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit për të zhvilluar një ndeshje miqësore, ku dje ka qenë përballë Mamurrasit të Kategorisë së Parë.
Takimi është zhvilluar në kompleksin “Tirana Internacional”, në Pezë, dhe është fituar nga skuadra pukjane me rezultatin 2-1. Ndeshja nis me dominimin e Tërbunit që në minutën e 15-të gjen golin me Enco Malindi. Pas ndëshkimit, të besuarit e trajnerit Agustin Kola e rrisin presionin dhe në minutën e 32-të arrijnë që të barazojnë shifrat, me golin e Fuçisë.
Me rezultatin 1-1 mbyllet pjesa e parë e takimit, ndërsa pjesa e dytë shoqërohet me ndryshime të shumta në të dyja kampet. Pa dyshim niveli i pjesës së dytë nuk ngjitet te 45 minutat e para, kjo edhe për faktin se në fushë mbizotërojnë lojtarët e stolit. Pas pesë minutave lojë, Dhrami kalon në avantazh Tërbunin dhe rezultati 2-1 mbetet i pandryshuar deri në përfundim të miqësores. Ndonëse Mamurrasi u mund, për trajnerin Kola ky test ishte më se i nevojshëm dhe në fund ka rezultuar i suksesshëm, pasi krijoi një ide më të qartë për ekipin e tij.
“Të mundesh nga një ekip i Superiores është gjë normale, por nuk duhet harrur fakti se humbja erdhi në pjesën e dytë, kur në fushë aktivizova ekipin e dytë. Mamurrasi po vjen gjithnjë në rritje, gjë e cila është parë në dy miqësoret e fundit. Testi i fundit me Tërbunin më ka dhënë një tregues kuptimplotë për të ardhmen e Mamurrasit”, u shpreh trajneri Agustin Kola pas ndeshjes.
Përgatiti: Ahmet Zani

http://www.panorama-sport.com/2015/09/ekipet-testojne-te-ardhurit-terbuni-fiton-2-1-ndaj-mamurrasit/#sthash.adytXOLr.dpuf

S'KA KOMENTE

Comments are closed.