Teuta bie në “Selman Stërmasi”, Josa e nis me fitore

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Mirel Josa e nis në mënyrë perfekte aventurën e tij të tretë te Tirana. Sot bardheblutë mposhtën 3-1 Teutën, në një ndeshje mjaft të bukur dhe me shumë raste për shënim.

Në 15 minutat e para u shënuan 3 gola, me Teutën që befasoi, duke shënuar që në minutën e 4-t me mesfushorin Gripshi, por Hoxhallari e Muça përmbysën gjithçka në minutat 7′ dhe 15′. Më pas, administrim i mirë i Tiranës, që rigjeti qetësi, por Teuta rrezikoi jo pak në fillim të pjesës së dytë.

Gjithsesi, Tirana mbylli gjithçka në minutën e 57-të, kur Afrim Taku konfirmoi se është lojtari më në formë i bardhebluve, duke shënuar golin e pestë në kampionat. Bardheblutë u kthyen tek fitorja pas dy ndeshjeve radhazi, pa fitore. Kjo ishte prova e parë për Mirel Josën, të cilën e kaloi me sukses dhe e nisi me këmbën e mbarë, i cili pak ditë më parë zëvendësoi në stol Ilir Dajën e shkarkuar.

Durrsakët me në krye trajnerin Magani kërkuan të vijonin suksesin pas fitores ndaj Laçit javën e shkuar.

Sfida në “Selman Stërmasi” nisi me vrull dhe ende pa kaluar minuta e katërt, Teuta kalon menjëherë në avantazh. Autori i golit është Nazmi Gripshi që pas një goditjeje të bukur shënon.

Megjithatë gëzimi i ekipit mik zgjati pak, pasi Tirana u kundërpërgjigj menjëherë me Hoxhallarin. Mbrojtësi bardheblu realizon me një parabolë spektakolare me kokë pas një krosimi nga këndi, duke mposhtur portierin Moçka.

Pas vrullit të fillimit, ndeshja qetësohet. Deri në të 15-tën, janë minuta me ritëm të ulët.

Pikërisht, në atë minutë, Tirana përmbys gjithçka. Gentian Muça gjendet në vendin dhe çastin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë pas zhvillimeve të një goditje nga këndi. Teuta pretendon për pozicion të parregullt, megjithatë Bruno Dita e mbante në lojë qendërmbrojtësin e Tiranës.

Teuta përpiqet të barazojë, ku në të 22-tën, Çyrbja provon të majtën e tij nga jashtë zonës, por gjuajtja e mesfushorit durrsak përfundon jashtë dhe pa e shqetësuar Ilion Likën.

Në të 27-tën, një goditje dënimi për Tiranën pranë zonës durrsake, ku Afrim Taku tenton me të djathtën, por goditja e mesfushorit përfundon shumë larg traut të portës.

Rasti i fundit i pjesës së parë i përket Teutës. Eshtë minuta e 36-të ku Çyrbja hedh një krosim në zonë nga krahu i djathtë i sulmit të Teutës, por Ilion Lika i vëmendshëm del dhe e bën të vetin topin, para se Magani të përfitonte.

Fraksioni i dytë nis me nga një ndryshim në secilën skuadër. Te Teuta, Faisal Bangal i bën vend Tarik Çmajçanin, kurse në kampin bardheblu Gilman Lika futet në lojë për Romuald Ntsitsiguin. Taku kthehet mbrojtës i djathtë, kurse Lika shkon si mesfushor i djathtë, ku zë vendin e Takut.

Durrsakët e nisin shpejt pjesën e dytë, ku në të 52-tën, Teuta shpërdoron një mundësi të shkëlqyer për të barazuar. Pas një aksioni të rrjedhshëm, Gripshi kroson në zonë, por aty Artur Magani dy hapa larg portës nuk e shtyn dot topin në rrjetë.

Sërish pas dy minutash, është përsëri Magani që tenton të kërcënojë portën e Tiranës. Sulmuesi bën gjithçka mirë deri në zonë, por gjuajtja e tij me të majtën është e pasaktë.

Në të 57-tën, Tirana thellon avantazhin dhe mbyll llogaritë në pjesën e dytë. Afrim Taku finalizon një aksion të mrekullueshëm, duke shfrytëzuar një vertikalizim të Ndockyt brenda zonës. Mesfushori mposht Moçkën, duke realizuar golin e pestë këtë sezon. Po aq sa kanë edhe Ekuban i Partizanit, Salihi i Skënderbeut dhe Shkodra i Flamurtarit.

Teuta përpiqet të reagojë pas golit të pësuar. Bruno Dita provon me një gjuajtje tokazi nga kufijtë e zonës, por e djathta e mesfushorit përfundon ngjitur me shtyllën.

Trajneri Magani aktivizon edhe Mustën së bashku me sulmuesin Andi Ribaj.

Në të 70-tën, Nazmi Gripshi përpiqet të krijojë rrezik në portën e Likës. Mesfushori shmang dy kundërshtarë dhe depërton në zonë, por gjuajtja e tij përfundon ngjitur me shtyllën e majtë.

Teuta është pafat në të 77-tën. Ribaj ka një mundësi të mirë në zonë, por devijimi i sulmuesit të aktivizuar në lojë në pjesën e dytë ndalet nga shtylla.

E pabesueshme ajo çfarë humbet Moktar Cisse në të 82-tën. Sulmuesi i Tiranës gjuan jashtë me portën bosh, pas një topi të kthyer nga portieri Moçka.

Minutat e mbetura nuk e ndryshojnë rezultatin dhe i gjithë takimi përfundoi me rezultatin 3-1, për Tiranën.

Bardheblutë dalin shumë të kënaqur nga ky takim, ndërsa Teuta mbeti shumë e pakënaqur nga kjo sfidë.

Me këtë fitore, e para pas dy ndeshjesh, skuadra e Josës ngjitet në kuotën e 17 pikëve, vetëm tri më pak se Skënderbeu kryesues. Ndërkohë, disfata e gjashtë e lë Teutën në vendin e parafundit me tetë pikë.

Javën e ardhshme, Tirana luan me Laçin në “Selman Stërmasi”, ndërsa Teuta pret në shtëpi Kukësin. /minuta90.com/

Tirana-Teuta 3-1

Golat: Hoxhallari 7’, Muça 15’, Taku 57’/ Gripshi 4’

Tirana: I. Lika, Ntsitsigui (G. Lika 46’), Muça, Teqja, Hoxhallari, Taku, Karabeci, Daja, Muzaka (Vucaj 71’), Ndockyt, Cisse (Acquah 88’) (në dispozicion: Bakaj, Deliaj, Nika, Halili) Tr: Mirel Josa

Teuta: Moçka, E. Hoxha, R. Hoxha, Shkalla, Kotobelli, Çyrbja, Dita, Hila (Musta 60’), Gripshi, Magani (Ribaj 66’), Bangal (Çmajçanin 46’) (në dispozicion: Rizvani, Shehi, Rashica, Lamçja) Tr: Gugash Magani

Gjyqtarë: Emirjon Sino, Orgest Grabova, Alfred Shkreta, Adrian Beqiri

Kartonë të verdhë: S’ka

S'KA KOMENTE

Comments are closed.