Teuta/ Moçka premton kthesën

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Teuta u është kthyer përgatitjeve intensive për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Luftëtarit. “Djemtë e detit”, të mërkurën, zhvilluan dy seanca stërvitore. Paradite lojtarët punuan më tepër me ushtrime force dhe vrapime, ndërsa pasdite Gugash Magani e përqendroi stërvitjen te ushtrimet tekniko-taktike.

Pas dështimit në fazën e parë, Teuta kërkon të marrë maksimumin nga e dyta. Portieri Shpëtim Moçka në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” e pranon se tani nuk u lejohet më të gabojnë dhe në transfertë ndaj Luftë- tarit do të kërkohet me çdo kusht fitorja.

Çfarë i ka munguar Teutës për të arritur fitoren?

Besoj se do të kthehemi te rezultatet pozitive, pasi jemi një ekip i mirë dhe të them të drejtën nuk është se ne na mungon stërvitja apo nuk kemi kondicion fizik. Në çdo ndeshje ne krijojmë volum loje dhe kemi të paktën 4-5 raste për gol, pra, kaq janë të mjaftueshme për të fituar, por duhet të jemi më pragmatist.

E vërtetë, krijoni volum dhe shënoni, por pësoni edhe shumë gola. Pse?

Futbolli është lojë grupi, ndryshe nuk do të quhej futboll. Mendoj se elementi kryesor është përqendrimi. Kemi lojtarë shumë të rinj, disa e kanë të vështirë të përballojnë presion dhe besoj se ky faktor na ka ndëshkuar. Duhet të funksionojmë si një trup i vetëm, pasi kur pësojmë nuk është faji vetëm i mbrojtjes por i gjithë ekipit, ashtu si kur nuk shënojmë.

E keni menduar se si do të ktheheni te fitoret, edhe tifozët nuk po ju ndjekin më?

Fillimisht tifozëve u kërkojmë falje, unë garantoj se do të jap maksimumin si gjithmonë që ekipi të kthehet. Dhe kjo gjë arrihet duke qenë një familje, të harrojmë gjithçka dhe të fokusohemi vetëm te stërvitja dhe ndeshja e radhës. Jam i bindur se nëse zbatojmë detyrat e trajnerit dhe besojmë te vetja, do të bëjmë një fazë të dytë vërtet të mirë.

Si është marrëdhënia me Kastratin, mik apo “armik”?

Elhanin e respektoj, pasi është një djalë pozitiv, jashtë fushave të gjithë jemi miq, kurse kur stërvitemi, aty nuk ka mik apo shok, pasi të gjithë duan formacionin. Ashtu si unë edhe ai po jep maksimumin për ekipin. Unë po pres momentin tim dhe ndihem gati. Profesor Kapllani ka bërë një punë shumë të mirë gjatë kësaj periudhe me ne dhe falë tij jam në një formë shumë të mirë.

Shpëtim Moçka

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU