Tifozëritë e dhunshme, në krye Tirana, Partizani dhe Skënderbeu

0
SHPËRNDAJE

Të dëgjosh kore fyese, të shohësh hedhje sendesh të forta, por edhe skena dhune, në stadiumet tona nuk është e rrallë.

Ndryshimi i sistemit në fillimin e viteve ’90 në futboll krijoi grupimet e tifozërive të skuadrave të mëdha, që jo rrallë herë kanë shkaktuar dhunë, përveçse dhe dëme materiale të stadiumeve e si rrjedhojë dëme financiare klubeve.

Skenat e turpshme në rrugët e qyteteve i kanë përafruar grupime të caktuara më tepër me huliganët sesa me tifozët, dhe aq më pak me sportdashës.

Atëherë kur pritet shndërrimi i stadiumeve të rikonstruktuara në vende argëtimi, qoftë edhe familjar, shpesh në ndeshjet më të rëndësishme vëmendjen e tërheqin skenat huligane.

Anët e stadiumeve ku gjenden grupimet, që lënë bosh pjesën qëndrore të tribunave për karshi ku dikur qëndronin tifozëritë që shihnin futboll për argëtim, sot policia i konsideron hapësira sigurie.

Shpesh, elementë të ndryshëm i kanë shndërruar turmat në fyese, agresive dhe të dëmshme për këtë sport, që konsiderohet “loja më e bukur në botë”.

Nëse i hedh një sy dënimeve sportive të Federatës Shqiptare të Futbollit, gjen një klasifikim të tifozërive më problematike. Në 8 javë kampionat, duke mos përfshirë të fundit, tifozëria më problematike në renditje është ajo e Tiranës, e cila i ka sjellë skuadrës një dëm financiar prej 650 mijë lekë.

Prapa ndodhet ajo e Partizanit, e cila pa situatën e ndeshjes së fundit ka shkaktuar një dëm prej 600 mijë lekësh, por sigurisht që do të kryesojë këtë klasifikim pas masave që do të marrë Komisioni i Disiplinës ditën e nesërme, kur do të mblidhet Komisioni.

Dhe në vendin e tretë vjen Skënderbeu. Vlen për t’u theksuar se për momentin tifozëritë e këtyre klubeve janë dhe grupimet më të mëdha që ndjekin eventet e Superligës. Shpesh këto njësi subvencionohen nga presidentët e klubeve me transportin falas dhe herë pas here me bileta. /minuta90.com/

Gjobat për ekipet e Superiores, 16/09-26/10/2016

  1. Tirana, 650 mijë Lekë
    2. Partizani, 600 mije Lekë
    3. Skënderbeu, 500 mijë Lekë
    4. Flamurtari, 400 mijë lekë;
    5. Luftëtari, 100 mijë Lekë
    6. Korabi, 100 mijë Lekë
    7. Laçi, 100 mijë Lekë

S'KA KOMENTE

Comments are closed.