Tifozët e Vllaznisë, kërkesë klubit: Hapni dyert ndaj Flamurtarit!

0
SHPËRNDAJE

Kampionati tashmë ka hyrë në një fazë shumë interesante dhe gara sa vjen e vështirësohet. Ndeshja Vllaznia-Flamurtari, që do të luhet të shtunën, në orën 14:00, konsiderohet shumë e rëndësishme për të dyja ekipet, sidomos për shkodranët, që luajnë në fushën e tyre dhe natyrisht që nuk u lejohet asnjë rezultat tjetër përveç fitores.

Trajneri Armando Cungu, kapiteni Ndriçim Shtubina dhe drejtori sportiv Eugent Zeka, në disa biseda me minuta90.com, shpeshherë u kanë bërë thirrje tifozëve për të qenë të pranishëm në stadium, për t’i mbështetur, por në sfidat e luajtura sivjet aty ka rënë në sy numri shumë i vogël i të pranishmëve. Tifozët, një ndër arsyet e braktisjes së skuadrës së tyre të zemrës kanë nxjerrë edhe çmimet e larta të biletave.

Për këtë arsye, por edhe duke parë rëndësinë shumë të madhe që ka ballafaqimi kundër vlonjatëve këtë javë, tifozët kuqeblu i kanë kërkuar klubit të bëjë një përjashtim: të hapë dyert e stadiumit! Drejtuesit e klubit parimisht duken dakord me një gjë të tillë, por vendimi, gjithsesi, duhet marrë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, institucion ky që administron aktualisht stadiumin “Loro Boriçi”.

Natyrisht që nuk është shumë normale hapja e dyerve të stadiumit, sepse mirëmbajtja e tij ka jo pak kosto, por mund të gjendet ndonjë zgjidhje. Deri para pak kohësh pati një ftohje të grupimit “Vllaznit Ultras” me skuadrën dhe, për rrjedhojë, ata e braktisin për disa kohë stadiumin, por tashmë janë rikthyer (madje nuk munguan as në kryeqytet, në takimin e fundit me Partizanin), por është larguar pjesa tjetër e tifozërisë.

Ndoshta hapja e dyerve ndaj Flamurtarit mund t’i rikthejë sërish ata. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.