“Tiki-taka” në Gjirokastër, Bregu i jep fitoren Luftëtarit

0
SHPËRNDAJE

Luftëtari merr fitoren e dytë radhazi dhe tashmë me të drejtë mund të ëndërrojë për diçka më shumë se thjesht mbijetesa në Superiore, ku nuk di të ndalet në këtë kampionat. Skuadra e drejtuar nga Mladen Milinkoviç ka mundur me rezultatin 1-0 në shtëpi Teutën, duke shkuar në kuotën e 21 pikëve për t’u ngjitur në vendin e 5-të klasifikimit në Superiore.

Në një ndeshje shumë të luftuar, ku gjirokastritët vuajtën më shumë se zakonisht për të gjetur hapësira në prapavijën kundërshtare, diferencën e bëri goli i mesfushorit Bregu në pjesën e dytë, pas një aksioni model me një takim të thuajse të gjithë futbollistëve ofensivë të vendasve.

Luftëtari ishte më kërkues dhe arriti të marrë fitoren e dyë radhazi, duke vazhduar kështu edhe ecurinë e 7 ndeshjeve rradhazi pa humbje.

Takimi nis i shpejtë, ku që në të 5-tën, aksion në krahun e djathtë i mesfushorit Gripshi. Mersini tregohet i vëmendshëm duke ndalur depërtimin e mesfushorit të durrsakëve që po i drejtohej rrezikshëm portës.

Pas 2 minutash, harkim nga e majta e sulmit të Teutës, ku Çyrbja me kokë nuk arrin të devijojë drejt portës.

Kur po kronometrohej e 17-ta, pas një goditje nga këndi për Luftëtarin, topi mbërrin te Shehu i cili provon të shënojë me një kthesë të shpejtë në pozicion qendror në zonën durrsake, por gjuajtja e tij është shumë e lehtë dhe përfundon jashtë pa shqetësuar portierin Moçka.

Eshtë minuta e 30-të dhe provon Dany me kokë që të shënojë në portën e portierit Moçka, por gjuajtja e tij është shumë e lehtë dhe portieri i Teutës pret në pozicion.

Ndërsa, pas një minute, një kundërzbritje e shpejtë e Teutës në krahun e majtë, topi përfundon te Hila i cili ka kuadratin e portës të hapur përpara, por dërgon sferën shumë lart mbi traversë me gjuajtjen e tij në hyrje të zonës.

Minuta e 35-të dhe Reginaldo hyn në zonë në krahun e majtë dhe provon të gjuajë menjëherë drejt portës, por goditja e tij është shumë e gabuar dhe nuk rrezikon portierin Moçka.

Rasti i fundit në pjesën e parë i takon minutës së 38-të, kur Çyrbja ndërmerr një aksion personal në krahun e majtë të sulmit të Teutës dhe pasi shmang dy mbrojtës, provon të gjuajë drejt portës, por goditja e tij devijohet dhe Ruçi ka mundësi të kontrollojë në pozicion qendror pa probleme.

Fraksioni i parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta rifillon pa ndryshime në radhët e dy skuadrave pjesa e dytë.

Në të 55-tën, kombinim mjaft i bukur i mesfushorit Bregu me sulmuesin Reginaldo që i kthen përsëri topin. Vlonjati provon të befasojë portierin Moçka me një gjuajtje nga jashtë zonës, por topi kalon mbi kryqëzimin e shtyllave në të majtë të portierit.

Pas 5 minutash, Luftëtari humb mundësinë më të mirë për të shënuar në këtë ndeshje. Pas aksionit të radhës të mesfushorit Bregu nga e majta, ky i fundit pason topin në qendër ku Reginaldo nuk arrin të devijojë, por sfera mbërrin në krahun tjetër te Abazaj i cili gjuan me shpejtësi. Ruçi shpëton portën e tij me një ndërhyrje vendimtare që ruan rrjetën e paprekur.

Kur po kronometrohej e 63-ta, Bregu provon të shënojë me një goditje dënimi. Topi i goditur prej tij përfundon jashtë kuadratit të portierit Ruçi.

Eshtë minuta e 69-të dhe vjen goli i vetëm i ndeshjes. Aksion spektakolar me një prekje i futbollistëve të Luftëtarit që finalizohet me një gjuajtje nga jashtë zonës të mesfushorit Bregu. Moçka nuk është i vëmendshëm dhe topi i rrëshqet nga duart duke i kaluar mes këmbëve për të përfunduar në rrjetë. 1-0.

Në të 75-tën, një tjetër aksion i mesfushorit Bregu në të majtë. Vlonjati shmang dy mbrojtës por nuk arrin të mposhtë portierit Moçka këtë radhë me gjuajtjen e tij që devijohet nga ndërhyrja e kapitenit Rustem Hoxha.

Kur po kronometrohej e 80-ta, Hila dhe Ribaj shpërdorojnë dy mundësi të mira për të shënuar golin e barazimit, fillimisht me një zbritje të shpejtë në krahun e majtë, dhe më pas me një goditje nga këndi. Ribaj harrohet i vetëm në zonë, por gjuajtja e tij me kokë përfundon direkt në duart e portierit Ruçi.

Në fund, katër minuta shtesë në këtë ndeshje, me Luftëtarin e kthyer në mbrojtje dhe Teutën që kërkon me ngulm barazimin.

Ndërkaq, mundësia e fundit e takimit i takon Teutës. Në të 91-tën, Ribaj humb një tjetër mundësi shënimi. Pas një krosimi nga e djathta, sulmuesi devijon drejt portës, por topi përfundon në krahët e portierit Ruçi.

Sfida nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Luftëtarin që vijon rezultatet pozitive, duke marrë fitoren e dytë radhazi, ndërsa Teuta rikthehet sërish tek rezultatet negative.

Ndërkaq, Teuta duhet të mendojë sa më parë si të largohet nga fundi i klasifikimit, pasi tashmë është kthyer përsëri në zonën e ftohtë dhe rrezikon seriozisht mbijetesën.

Javën e ardhshme, Luftëtari luan në transfertë me Tiranën, ndërsa Teuta pret në shtëpi Vllazninë. /minuta90.com/

Luftëtari-Teuta 1-0

Goli: Bregu 69’

Luftëtari (4-2-3-1): Ruçi, Rapo, Boyom, Beqiri, Mersini, Ramadani, Shehu, Abazaj (Lluka 89’), Dany (Brahimaj 88’), Bregu (Zogaj 81’), Reginaldo (në dispozicion: Miraka, Puçi, Montero, Faye) Tr: Mladen Milinkoviç

Teuta (4-4-2): Moçka, Hodo, R. Hoxha, Shkalla, Kotobelli, Çyrbja (Ribaj 66’), Dita, Hila, Gripshi (Musta 54’), Magani, Bangal (Rashica 74’) (në dispozicion: Rizvani, Borshi, E. Hoxha, Shkreta) Tr: Gugash Magani

Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti

Kartonë të verdhë: Rapo 28’, Ramadani 90’+3/ Shkalla 43’, Hila 65’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.