Tirana bllokon yjet, të lirë vetëm ata që nuk bindën në Superiore

0
SHPËRNDAJE
loading...


Askush nuk do të largohet nga Tirana. Ky është vendimi i prerë i Refik Halilit. Përtej tentativave që lojtarë të ndryshëm kanë pasur për të tërhequr letrat, klubi i ka “bllokuar”. Presidenti ka vendosur që skuadra të mos shpërbëhet dhe sigurisht që këtë të drejtë e ka vetëm për lojtarët që kanë kontratë minimalisht edhe për vitin tjetër.

Pra, këta elementë janë të detyruar që të respektojnë deri në fund atë që e kanë firmosur me vullnet të plotë. Përjashtim në këtë listë bëjnë sigurisht ata që janë të lirë, pra që u ka “skaduar” kontrata.

Konkretisht Olsi Teqja me Afrim Takun kanë shumë pak shanse që të mbeten bardheblu, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Erando Karabecin dhe Gilman Likën. Këta të fundit drejtuesit do tentojnë që t’i mbajnë edhe për sezonin tjetër, por fillimisht do të ulen dhe të diskutojnë termat financiarë.

I vetmi që është i lirë në treg, por që e ka qëndrimin më shumë se të sigurt është gardiani Ilion Lika. Përtej dëshirës që emra si Asion Daja, Albi Doka, Erjon Hoxhallari apo Muça mund të kenë që të mbrojnë me fanatizëm fanellën e klubit më të titulluar në vend, rënia në inferiore i ka shtuar dozat e dyshimit.
Megjithatë, nëse klubi vendos që t’i mbajë, askush nuk mund të ikë. Duke qenë se rrëzimi në Kategorinë e Parë nuk parashikohet në kontratë, lojtarët nuk kanë të drejtë vendimmarrje, pasi në kontratat e tyre nuk ekziston asnjë klauzolë që parashikon qëndrimin apo largimin e tyre.

Gjithsesi, kjo s’do të thotë që të gjithë do të qëndrojnë. Nga sa mësohet, presidenti ka theksuar se do të “spastrohen” vetëm ata që nuk do të jenë në planet e stafit teknik dhe të klubit.

Gjasat janë që të ruhet 75% e grupit, pra pjesa dërrmuese dhe ekipi të pasurohet me elementë jo vetëm cilësorë, por të aftë për të përballuar inferioren. Për të mbushur “arkën” mund të ketë transferime, pra shitje lojtarësh.
Dhe në këtë listë përfshihen emra si Merveil Ndokyt e Albi Doka. Sakaq, nga afrikanët gjasat janë që të zyrtarizohet “divorci” me Romuald Ntsitsiguin dhe Moktar Cisen, pasi ndryshe nga 4 të tjerët, ata kanë rezultuar një dështim këtë sezon.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU