Tirana/ Drejt dështimit transferimi i Merveil dhe Akuah

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Kategoria e Parë/ Shumë zhurmë, por ende asnjë transferim i zyrtarizuar nga Tirana. Prej javësh po flitet për oferta konkrete që kanë ardhur në klubin bardheblu, më së shumti për 19-vjeçarin kongolez, Merveil Ndokyt, si dhe 20-vjeçarin ganez, Ruben Akuah. Drejtuesit kanë rënë dakord në parim me kroatët e NK Osijekut për të transferuar dy mesfushorët, teksa mendohet që Tirana do të përfitojë afërsisht 550 mijë euro.

Mirëpo, presidenti Refik Halili pretendon që Tirana të mbajë të paktën 10% të kartonit të dy lojtarëve në rast se ata rishiten në të ardhmen nga klubi kroat. Kjo nuk i ka pëlqyer Osijekut, edhe pse pas shumë diskutimeve është arritur një akord në parim. Por, kur gjërat ishin në rrugë të mbarë dhe zyrtarizimi dukej çështje orësh mes klubeve, në skenë ka dalë një ngërç, që ende nuk është sqaruar.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta në klubin bardheblu se kompania e menaxhimit që përfaqëson mesfushorët Merveil dhe Akuah, ka dalë kundër kësaj lëvizjeje. Madje, agjentët po bëjnë gjithçka për të bindur lojtarët që të refuzojnë kalimin në Kroaci, duke i prishur në këtë mënyrë planet e Tiranës.

Të njëjtat burime treguan për gazetën se kompania e menaxhimit ka ngritur edhe pretendime të tjera ndaj klubit bardheblu, që kanë të bëjnë më shumë me anën financiare. Një ngërç që nuk dihet se si do të zgjidhet, për më tepër që Osijeku nuk pret më shumë se një javë.

Dy afrikanët erdhën në verën e vitit të kaluar te 24 herë kampionët si ndërmjetësim i menaxherit Hektor Çomo, mirëpo në të vërtetë ata përfaqësohen nga kompania “Sportback”, e cila ka të drejtën e firmës për çdo lëvizje që mund të bëjnë Merveil dhe Akuah. Interesimi i agjentëve të lojtarëve mësohet se është transferimi në Francë ose Spanjë, por asgjë nuk është e sigurt për momentin.

Pa u zgjidhur mosmarrëveshjet mes kompanisë së menaxhimit të lojtarëve dhe klubit të Tiranës, vështirë se transferimi tek Osijeku do të realizohet. Në lidhje me këtë problem, dje “Panorama Sport” kontaktoi vetë presidentin Refik Halili, por ky i fundit nuk pranoi të jepte një deklaratë. Megjithatë, kur u pyet nga gazeta, Halili nuk e mohoi faktin që ka një problem mes klubit dhe menaxherëve të dy lojtarëve afrikanë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.