Tirana fton tifozët dhe hap dyert e stadiumit, ndaj Laçit me 5 mungesa

0
SHPËRNDAJE


Tirana mbyll sot përgatitjet për ndeshjen e javës së 29-të të Superiores. Josa do t’i grumbullojë të tijtë, për t’i pasur nën kontroll dhe të përëqendruar vetëm te përplasja e radhës në kampionat, që tashmë vlen pikë mbijetese. Nesër, në orën 19:00, në stadiumin “Selman Stermasi”, 24 herë kampionët e vendit do të presin Laçin, në një duel mbijetese, sepse të dyja skuadrat janë në vorbullën e ethshme të qëndrimit në elitën e futbollit tonë. Dorian Kërciku, Gentjan Muca, David Domgjoni dhe Flamur Bajrami do të mungojnë për shkak dëmtimesh, ndërsa Asjon Daja për arsye kartonësh.

Mesditën e sotme, klubi kryeqytetas ka bërë një njoftim edhe për biletat e ndeshjes, duke kërkuar mbështetjen e tifozëve, edhe pse vijon divorci me “Tirona Fanatics”. Biletat e ndeshjes Tirana-Laçi do të dalin nesër në shitje. Hyrja me biletë është e vlefshme vetëm për sektoret A/B/C/H, ndërsa në tribunën karshi, D/E/F/G, do të jetë e lirë (falas). Skuadra ka nevojë për mbështetje,” – është thirrja që bashkëshoqëron njoftimin për hyrje falas në gjysmën e stadiumit. Ndërkohë, çmimet e biletave janë: tribuna A/B – 500 lekë; tribuna C – 300 lekë. Tribuna H është rezervuar për tifozët miq dhe hyrja në të do të jetë me bileta 300-lekëshe.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.