Tirana – Partizani nën diktatin e kuq

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Superiorja / Të premten, në orën 19:00, në stadiumin “Selman Stermasi”, do të luhet derbi i 149-të midis Tiranës dhe Partizanit. Ky ballafaqim është i inkuadruar në kuadrin e javës së 31-të të kampionatit të 78-të kombëtar, Kategoria Superiore, teksa kreu mbahet nga Kukësi dhe Partizani me nga 62 pikë secili. “Demat e kuq” luftojnë për titullin kampion, ndërsa bardheblutë për mbijetesë, teksa nuk e kanë shijuar ende fitoren në kampionat për vitin 2017. Tirana ka mbërritur në finale të Kupës së Shqipërisë, prej nga do të tentojë arritjen e Kupave të Europës, ndryshe përsëritet dështimi i sezonit të shkuar, duarboshe në çdo drejtim.

Pavarësisht pikësynimeve të skuadrave në fjalë, në të tilla përplasje nuk vlen shumë renditja e skuadrave momentalisht, por më shumë shprehja: “Le të mos e fitojmë titullin, mjafton të fitojmë ndeshjet derbi”.

Bardheblutë janë jo pak defiçitarë në këtë drejtim, sepse nuk fitojnë ndaj 15 herë kampionëve në 11 derbet e fundit radhazi. Pra, antagonizmi mbetet në shkallën sipërore. Sa i përket historisë së këtyre përplasjeve, deri tani janë luajtur 148 ndeshje në total. Partizani ka 61 fitore, Tirana 40 të tilla dhe 46 ndeshje kanë përfunduar në barazim. 214 gola ka shënuar Partizani, përkundrejt 163 golave të Tiranës. Sfida e fundit është luajtur më 20 shkurt 2017 në “Selman Stermasi” dhe ka përfunduar 2-1 për “demat”. Golat i kanë shënuar për Partizanin Malota 13′ dhe Ekuban 70, kurse për Tiranën Teqja 47′.

Pra, “peshorja” e ecurisë së viteve të fundit, por edhe e tri fazave të këtij kampionati, anon jo pak nga të kuqtë, që kanë fituar 15 tituj kampioni, ndërsa bardheblutë goxha më tepër, 24 tituj. Barazimi 2-2 është rezultati i fiksuar më shumë në ndeshjet derbi, mes Tiranës dhe Partizanit, plot 29 herë, në 45 barazime. Në sfidën e radhës ka jo pak “ish”-ë. Karabeci, Ed.Bakaj dhe Daja kanë pasur eksperienca të kuqe. Madje, dy të parët kanë dalë nga Akademia e Partizanit. Kalari ka një të kaluar bardheblu, sikurse Asion Daja ishte sezonin e kaluar “dem i kuq”, ndërsa tani ka “kaluar ylberin”, jo për herë të parë.

Kujtojmë se ndeshja e parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e kuq” fitonin 8-0, duke sigluar kështu edhe fitoren më të thellë deri tani në derbi. Shpagimi bardheblu vjen më 22 shtator 1985, teksa Tirana do t’i kthente reston Partizanit, të cilin e mundi 7-3, në një ndeshje që mbahet mend nga tifozët e të dyja skuadrave për lojën e bukur.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.