Tirana rikthehet te fitorja dhe bën “autokritikë” ndaj Luftëtarit

0
SHPËRNDAJE

Tirana rigjen buzëqeshjen pas pesë ndeshjesh pa fitore. Bardheblutë sot mundën 2-0 Luftëtarin në javën e 17-të, e parafundit për gjysmën e parë të Kategorisë Superiore, teksa është rikthyer te fitorja, në një ndeshje mjaft e hapur nga të dyja skuadrar, por që në fund Tirana mori fitoren aq shumë të dëshiruar.

Në “Selman Stërmasi”, skuadra e trajnerit Mirel Josa shfrytëzoi të parin rast të pastër në pjesën e parë, duke gjetur avantazhin me një supergol të të zakonshmit Afrim Taku pak para pushimit.

Luftëtari u përpoq të reagonte dhe krijoi disa mundësi të mira për të barazuar, por gaboi para portës. Nga ana tjetër, Tirana shfrytëzoi hapësirat e lëna prapa nga kundërshtari dhe mbylli ndeshjen me golin e Ndockyt në të 76-tën.

Ndërkohë nga ana tjetër skuadra e Luftëtarit ndal serinë e 7-të javëve pa humbje, por gjithsesi kjo e sotmja ishte disi e pranueshme ndaj një kundërshtari më të etur për pikë.

Takimi nis me Luftëtarin që shfaqet i vendosur mirë dhe përpiqet të ngacmojë Tiranën me zbritje të rrezikshme në këto minuta të para, ndërsa bardheblutë shfaqet për herë të parë në portën gjirokastrite, në të 6-tën. Erjon Vucaj provon me të djathtën nga larg, por topi mbi përfundon mbi shtyllë.

Loja përqendrohet në mesfushë, pa raste për t’u shënuar në portat përkatëse, me Tiranën provon të marrë kontrollin e topit, por përballë ka një ekip të vendosur mirë e që luan me kujdes i tërhequr.

Mirel Josa sheh që diçka nuk shkon në lojën e të tijve dhe ndërhyn duke futur mesfushorin Gjergji Muzaka në vend të Reuben Acquah. Pas këtij ndërrimi, Muzaka shkon në sulm, Daja në mesfushë, kurse Taku kthehet në të djathtë të mbrojtjes.

Rasti më i mirë i ndeshjes është për Luftëtarin, në të 44-tën, Dany i ka të gjitha mundësitë për të shënuar me portën bosh, por gjuan keq dhe Olsi Teqja largon topin fare pranë vijës fatale.

Në fundi e pjesës së parë Tirana kalon në avantazh. Është përsëri ai, Afrim Taku, që nxjerr nga balta bardheblutë. Mesfushori gjen golin e shtatë personal në këtë sezon me një të majtë mjeshtërore brenda zonës, që nuk i lë asnjë mundësi reagimi portierit Ruçi.

Fraksioni i parë mbyllet këtu, ndërsa i dyti nis me të njëjtat skuadra që e mbyllën të parën.

Në të 55-tën, Luftëtari kërkon penallti me pretendimin për një top të prekur nga bardheblutë në zonë, ndërsa në aksionin pasardhës, Ilion Lika shpëton portën e tij.

Pas 60 sekondash, Tirana shënon, por goli është i pavlefshëm. Grent Halili shtyn në rrjetë një top të kthyer nga shtylla pas gjuajtjes së Ndockyt, mirëpo kapet në pozicion jashtë loje.

Luftëtari i shton sulmet në kërkim të barazimit dhe në të 62-tën, Dejvi Bregu gjuan me të djathtën në zonë, por Afrim Taku gjendet në kohën dhe vendin e duhur për ta devijuar topin në goditje këndi.

Pas 4 minutash, tjetër rast i humbur nga gjirokastritët. Kristal Abazaj bën gjithçka mirë në zonë, por gjuajtja e tij me të majtën është qendrore dhe përfundon në duart e portierit Ilion Lika.

Kur po kronometrohej e 68-ta, Muzaka provon me të djathtën nga rreth 25 metra nga loja e ndaluar, por goditja e mesfushorit bardheblu shkon mbi traversë.

Minuta e 76-të dhe tjetër gol për Tiranën. Pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Ndockyt, Gilman Lika pason në zonë për mesfushorin Muzaka, i cili godet shtyllën. Nga topi i kthyer përfiton Ndockyt, i cili e dërgon topin në rrjetë. 2-0.

Në të 86-tën, Gilman Lika ka shansin e artë të mbyllë përfundimisht llogaritë. Një pasim i bukur në zonë e nxjerr mesfushorin të vetëm me portën, por gjuajtja e tij ndalet nga portieri Shkëlzen Ruçi me… fytyrë.

Deri në fund, nuk ka më histori dhe ndeshja mbyllet këtu. Tirana merr 3 pikë shumë të vlefshme ndaj Luftëtarit, ndërsa këta të fundit zbresin me këmbë në tokë.

Ky sukses e ngjit Tiranën në kuotën e 26 pikëve në vendin e katërt që qëndron e sigurtë në këtë pozicion duke u afruar me vendin e dytë, kurse Luftëtari mbetet një shkallë më poshtë në kuotën 21.

Javën e ardhshme, Tirana luan në transfertë me Vllazninë, ndërsa Luftëtari pret në shtëpi Kukësin. /minuta90.com/

Tirana-Luftëtari 2-0

Golat: Taku 45’+1, Ndockyt 76’

Tirana (4-3-3): I. Lika, Taku, Teqja, Domgjoni, Hoxhallari, Vucaj (G. Lika 58’), Daja, Acquah (Muzaka 39’), Ndockyt, Nkounkou, Halili (Edeh 71’) (në dispozicion: Bakaj, Turtulli, Nika, Cisse) Tr: Mirel Josa

Luftëtari (4-3-3): Ruçi, Rapa (Lluka 80’), Boyom, Beqiri, Mersini, Dany (Abazaj 53’), Ramadani, Rapo, Liçaj, Bregu (Zogaj 83’), Reginaldo (në dispozicion: Miraka, Shehu, Brahimaj, Faye) Tr: Mladen Milinkoviç

Gjyqtarë: Emirjon Sino

Kartonë të verdhë: S’ka

S'KA KOMENTE

Comments are closed.