TIRANA / “SIRENA” GREKE për Hoxhallarin, kapiteni drejt rinovimit

0
SHPËRNDAJE

Bardheblutë kanë mbyllur sezonin më të diskutuar në historinë e tyre dhe tashmë është periudha në të cilën lojtarët do të “sistemohen”. Në një kohë që skuadra do të bëjë gati planet për të përballuar me sukses sezonin e ardhshëm, shumë nga futbollistët janë duke u tentuar nga skuadra të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Erjon Hoxhallari është një prej elementëve që ka spikatur dhe për të kanë vërshuar një sërë ekipesh që kanë shprehur interes. Ndërkohë, tjetër situatë duket se po kalon kapiteni, i cili ka deklaruar gjithmonë në daljet publike se është i gatshëm që të qëndrojë me bardheblutë edhe në kategorinë inferiore.

“SIRENA” GREKE

Në ditët e fundit, Tirana është lakuar si një nga ekipet që pret shumë oferta konkrete për një pjesë të madhe të futbollistëve titullarë. Merveil, Doka, Hoxhallari dhe Akuah janë emrat që pritet të sjellin të ardhura të konsiderueshme në arkat e klubit. Së fundmi, për mbrojtësin e linjës së majtë në skuadrën kryeqytetase kanë mbërritur oferta interesante në klub.

“Panorama Sport” ka mësuar se Tirana është kontaktuar nga dy skuadra greke, të cilat kanë shprehur interes për shërbimet e Erjon Hoxhallarit. Mirëpo, për këtë të fundit, nuk ka munguar as interesimi nga skuadrat shqiptare. Janë gjithashtu dy klube të Superiores që kanë tentuar që të marrin informacione në klubin 24 herë kampion, për të parë se çfarë do të vendoset me mbrojtësin që ka edhe një vit kontratë.

Për momentin mungojnë konkretizimet, por interesimet jashtë Shqipërisë shihen me prioritet nga klubi, në mënyrë që të përfitojnë nga kartoni i mbrojtësit. Gjithashtu, në Kroaci skuadra e Lokomotivës së Zagrebit po insiston për shërbimet e mbrojtësit.

KAPITENI

Tjetër situatë është ajo e Erando Karabecit. Kapiteni i bardhebluve, i pyetur para ndeshjeve të Europa Ligës nga mediat, ka deklaruar dhe theksuar disa herë se është i gatshëm që të qëndrojë me Tiranën edhe në Kategorinë e Parë. Sinjal i qartë i lidhjes që ka ai me ekipin dhe fanellën. Nga burime pranë klubit kryeqytetas, gazeta ka mësuar se kapiteni është drejt arritjes së akordit me Tiranën.

Ndonëse nuk kanë munguar edhe interesime nga Vllaznia apo Flamurtari për ta mbajtur mesfushorin në elitë, ai ka pritur që të përfundojë të gjitha bisedimet në lidhje me të ardhmen si bardheblu. Duke qenë periudhë pushimesh, te Tirana kanë kohë të mjaftueshme, por në ditët në vijim pritet që të konkretizohet edhe rinovimi i kapitenit. Ilion Lika ishte një nga titullarët që e firmosi qëndrimin e tij me ekipin disa ditë më parë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.