Tirana / Ze Maria beson tek mrekullia

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Tirana ka një mision të vështirë nesër, teksa duhet të përmbysë humbjen 2-0 që ka pësuar ndaj Makabit të Tel Avivit në Izrael.

Gjithsesi, trajneri Ze Maria në konferencën për shtyp u shpreh se do kërkojnë kualifikimin dhe se besojnë te mrekullitë.

“Nuk jemi përgatitur për të marrë pushimet pas ndeshjes ndaj Makabit. Duhet të presim çfarë do të ndodhë. Unë kam besim te kjo skuadër. Kur luaja me Brazilin në Olimpiadën e vitit 1996 kishim një skuadër shumë të mirë me lojtarë si Ronaldo, Aldair, Bebeto etj, kryesonim 3-1 ndaj Nigerisë, por e humbëm atë ndeshje 4-3. Në futboll gjithçka është e mundur. Askush nuk mund ta imagjinojë çfarë do të ndodhë. Unë kam besim dhe dëshiroj të futemi në fushë me besim. E respektojmë Makabin, por nuk e kemi frikë dhe këto janë dy gjëra të ndryshme. Asgjë nuk është e pamundur. Unë besoj te mrekullitë”.

THIRRJA – “Na duhet mbështetja e të gjithëve dhe e tifozëve. Çfarë ka ndodhur në të shkuarën nuk ka rëndësi. Të gjithë duhet të jenë në stadium dhe të mbështesin këta djem. Ajo që ndodhi sezonin e shkuar ishte shumë e rëndë për lojtarët, jo për mua sepse nuk isha pjesë e skuadrës, por tani nis një erë e re dhe duhet të punojmë bashkë, klubi, tifozët, stafi dhe ju të gjithë”.

MERKATO – “Mendoj se klubi duhet të mendojë për të tashmen dhe të ardhmen. Unë i stërvit këta lojtarë për të qëndruar dhe nuk është mirë kur emrat e lojtarëve përmenden në merkato. Një lojtar si Doka përshembull, është shumë i ri dhe njerëzit e shikojnë në klube të mëdha, por fillimisht duhet të bëjë hapat e tij këtu. Kam parë shumë lojtarë me të ardhme të madhe, por gjatë rrugës kanë humbur diçka dhe karriera e tyre është ndalur. E di shumë mirë që lojtarët dëshirojnë të luajnë në klube të mëdha, por unë si trajner i Tiranës shpresoj që të qëndrojnë me ne. Ne jemi Tirana dhe të gjitha skuadrat do të kërkojnë të na mundin, por normalisht edhe ne na nevojiten lojtarë me eksperiencë që t’i miksojmë me të rinjtë. Gjithsesi duhet të kalojmë këtë fazë për t’u përgatitur, sepse skuadra nuk është gati dhe duhet të kompletohet për Kategorinë e Parë”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU