Tjetër çudi shqiptare, ekipi futet në fushë i pangrënë

0
SHPËRNDAJE

Megjithëse u duk se Butrinti do ta kishte të lehtë provën përballë Devollit të dielën në shtëpi, në fushë u pa një gjë krejt tjetër. Ekipi sarandiot arriti të shënonte dy gola brenda 19 minutave të para, por më pas loja e vendasve erdhi duke u venitur.

Pas pushimit, miqtë nga Bilishti hynë vrullshëm në fushën e lojës, ndërsa lojtarët e Butrintit dukeshin që mezi qëndronin në këmbë dhe nuk kishin fuqi të përballonin vrullin e miqve. Këta të fundit ngushtuan diferencën, por nuk mundën të bënin dot më tepër për të shmangur disfatën në javën e 11-të të Kategorisë së Dytë.

Butrinti-Devolli

E kjo e ka një shpjegim: futbollistët e skuadrës bregdetare ishin futur në fushë të pangrënë. Lajmin e bën të ditur portali lokal “Sarandaweb.net”.

Mësohet se lojtarët ishin grumbulluar paraditen e së dielës, ku pritej edhe të drekonin para ndeshjes. Por kjo nuk u realizua, pasi Bashkia e Sarandës nuk mori përsipër pagesën e ushqimit për futbollistët.

Edhe pse ekipi i Butrintit ka sakrifikuar deri tani duke luajtur pa kurrfarë shpërblimi monetar, situata ka degjeneruar deri në këtë pikë./Panorama Sport

S'KA KOMENTE

Comments are closed.