Torasa: Shumë e vështirë pa tifozët tanë

0
SHPËRNDAJE
loading...

Partizani / Një ditë para ndeshjes së javës së 25-të të Superiores, kundër Flamurtarit, ka dalë në konferencë për shtyp Agostino Torasa. Në emër të të kuqve, që vijojnë luftën për titullin kampion, argjentinasi ka bërë prognozën e tij për duelin e radhës me vlonjatët, por edhe rivalitetin në krye të renditjes. Nesër luani kundër Flamurtarit. Cila është më e vështirë, të luani kundër skuadrave të vogla, apo të mëdha? Siç e mendoj personalisht, ne mund të fitojmë me goleadë ndaj Flamurtarit. Megjithatë, duhet theksuar se diferencat mes skuadrave janë shumë të vogla, pavarësisht se ne gjendemi në krye të renditjes, ndërsa Flamurtari në pozitat e poshtme të tabelës.

Sa do të ndikojë mungesa e tifozëve dhe një ish, si Shpëtim Duro, në stolin e Flamurtarit? Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për ne, duke ditur se trajneri Shpëtim Duro e njeh mirë Partizanin. Megjithatë, nëse ne do të bëjmë punën tonë, lojën tonë, mendoj se do të dalim me sukses nga kjo ndeshje, do të marrim atë që synojmë, pra trepikëshin. Nga ana tjetër, tifozët janë një mungesë shumë e madhe për ne, sepse janë lojtari i 12-të. Me atmosferën që ata krijojnë në stadium na kanë ndihmuar shumë në rezultatet e deritanishme. Do të jetë e vështirë pa to në shkallët e stadiumit.

Keni shënuar vetëm një gol me Partizanin, edhe pse keni luajtur rregullisht… E rëndësishme për mua, pavarësisht se në një sezon e gjysmë këtu kam shënuar vetëm një gol, është që skuadra të arrijë objektivin, të shpallet kampione e Shqipërisë. Kjo është parësore për mua, pastaj nëse do të shënoj gola apo jo, kjo është diçka tjetër. Sa iu përket llogarive, nuk e di nëse do të na mjaftojnë 74 pikë, sa grumbulluam sezonin e kaluar. Në çdo ndeshje duhet të marrim maksimumin e pikëve, aq më tepër që dy rivalët tanë, Skënderbeu dhe Kukësi, janë plotësisht në garë dhe në luftën për titull. Edhe ata do të përpiqen të marrin pikët e duhura.

Cilin rival shihni më të fortë për titullin? Skënderbeu është një skuadër më e koladuar dhe e fortë. Duke qenë më kompakte, skuadra korçare do të jetë rivali ynë kryesor. Kukësi, them se është shumë i fortë në shtëpi, duke përfituar edhe nga fusha e vogël dhe nga bari sintetik. Në fushën e tyre, kuksianët janë shumë të fortë, ndërsa jashtë jo dhe aq. Çfarë mendimi keni për gjykimet në futbollin shqiptar? E kam theksuar edhe më parë, e rëndësishme është që gjykimi në një ndeshje të jetë sa më korrekt. Të jemi realist, ashtu si ne lojtarët, edhe arbitrat mund të gabojnë, por në disa episode vendimet e tyre këtu në Shqipëri më duken të dyshimta.

Shpeshherë shohim ndërhyrje të rënda të kundërshtarëve ndaj jush… Tashmë jam mësuar, pasi edhe në Argjentinë loja është e ashpër njësoj si këtu në Shqipëri. Kush do ta zgjidhë ndeshjen ndaj Flamurtarit? Shpresoj të shënoj unë dhe golin t’ia dedikoj vajzës sime, që tashmë gjendet pranë meje, këtu në Tiranë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.