Trukimet, ja çfarë tha Josa dhe lojtarët në prokurori. Pritet dëshmia e presidentit Takaj

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Merren në pyetje në Prokurorinë e Tiranës tre futbollistët dhe ish-trajneri i Skënderbeut ndërsa i dërgohet fletëthirrje edhe presidentit Ardian Takaj për t’u paraqitur gjatë kësaj jave.

Ditën e premte, prokuroria ka marrë dëshminë e Orges Shehit dhe dy mbrojtësve Marko Radas dhe Bajram Jashanica. Prokurori i çështjes Ndini Tavani i ka marrë në pyetje ata në lidhje me raportin e UEFAs ku pretendohet për fiksimin e dy ndeshjeve në Ligën e Europës dhe Ligën e Kampioneve në 2016. Futbollistët rezulton se kanë qenë në formacion dhe janë pyetur në lidhje me ndeshjen mes Sportingut të Lisbonës dhe Skënderbeut.

“Nuk kemi pasur ndërhyrje nga askush në asnjë rast”, kanë thënë futbollistët gjatë dëshmisë në prokurori. Në pyetje është marrë më vete edhe ish-trajneri i skuadrës së Skënderbeut, Mirel Josa. Ky i fundit ka thënë në prokurori së rezultatet e Skënderbeut gjatë drejtimit të tij në klubin korçar kanë qenë të natyrshme dhe reale si pasojë e garës së pastër sportive.

Hetimi ka nisur kryesisht pas një raporti auditi të UEFA-s ku aludohet se rezultatet e dy ndeshjeve të Skënderbeut gjatë sezonit të kaluar kanë qenë të fiksuara.

Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se ka shkuar fletëthirrja për t’u marrë në pyetje edhe presidenti Ardjan Takaj. Ky i fundit është vënë në dijeni dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet rreth hetimit që ka nisur. Marrja në pyetje për Takajn pritet të kryhet brenda kësaj jave.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.