“Ultras Guerrils” i bëjnë një super analizë “Tiranës”

0
SHPËRNDAJE
loading...


Tifo-grupi më i madh i Partizanit, “Ultras Guerrils”, gjatë këtyre ditëve nuk i ka kursyer ironitë dhe videot me shaka karshi Tiranës, tashmë e rënë një katëgori më poshtë. Por sot ata janë bërë më “seriozë”, teksa përmes një deklarate, tifozët e kuq nuk e ndalin kënaqësinë që i shohin rivalët e përbetuar në një situatë të vështirë, për herë të parë në historinë e tyre: Ja se si shprehen ata:

“Nuk i rrëzuan, ranë. Nuk ua bëri kush, ia bënë vetes. Nuk kishin armiq, por mullinj ere. Nuk luajtën futboll, po u vetëprostituan. Nuk ishin pa fat, e merituan! Nuk ua kishte fajin stadiumi, as ‘kamunisti’, as ‘katunari’, as ‘maloku’, as ‘jabonxhiu’, por skizofrenia…Ranë nga kategoria për (pa)meritë sportive! Askush nuk i hodhi, askush nuk i sulmoi, askush nuk u pati faj, thjeshtë konfirmuan nëpërmjet këtij sezoni që nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë kurrë identitet, që u kthyen në një ekip patericë aleancash, vulosur si prostitucion edhe nga Federbet.

Ishin ai ekip i shëmtuar, që ka dy faza kampionati pa fituar dot një ndeshje të vërtetë. Eshtë ai ekip që ruajti 5 javë kampionati lojtarët dhe që shpresonte të kapte një barazim me ne. Eshtë ai ekip sharlatan, i një klubi sahan, me tifozë hajvanë. E merituan rënien, që iu vinte vërdallë prej sezonesh me radhë. E meritonin në kohën e fitores së fundit në derbin e falur. E meritonin që atëherë, me një sezon, ku të gjitha ekipet i jepnin lëmoshë pikësh. E stërmerituan kësaj radhe, kur vendosën të bëhen ekipi i dorës së dytë, patericë pa objektiva dhe identitet. Duke u zvarritur ndaj Kukësit, me pak fjalë e bënë si ajo shprehja ‘po djeg shtëpinë time që komshiu të mbetet pa shtëpi’.

E meritonin dhe heqjen e pikëve, si në rastin e Flamurtarit. E kanë merituar prej shumë sezonesh, por jo, federata i përkëdhel, ndërsa këta viktimizohen. E meritonin mbase edhe për faktin se nuk iu punonte faksi, apo koka. Dikush ngashërehet shtirur e guxon dhe krahason largimin me forcë të Partizanit nga Superioria me rënien e turpshme të ekipit të Toptanëve. Mjafton t’iu kujtojmë flamurin e ngritur të Arian Malit dhe malin me padrejtësi që iu bë Partizanit, ekipit të papaguar, që mbahej e paguhej tërësisht me kontributet e tifozëve, nismën e gjimnazistëve, pa president, i nxjerrë me forcë nga ambientet e klubit, nga pushteti i atëhershëm, me kompromis politikanësh të djathtë e të majtë, me qëllim zhdukjen e emrit të Partizanit, dhe që ndërtuan tek ish-kompleksi ynë pallatet e tyre të turpit.

Kjo e fundit, pa sukses, arsyet dihen dhe gjenden te dashuria e tifozërisë së kuqe, që qëndroi me krenari kundër presidentit, por gjithnjë krah ekipit. Ndërsa minjtë spërdridhen ndaj një presidenti që deri dje iu shpërndante tollumba korçe (kërnacka), dasma, synetlliqe e ahengje, por nga ana tjetër e braktisin ekipin e tyre se të kuqte iu ‘zunë’ stadiumin. Prandaj ajo elegjia kolektive nëpër studio e emisione nuk iu ngjit. Prandaj nuk ia ngrefni askujt me romanticitetin e futbollit të bukur, që Tirana i duhet kampionatit. Na thoni cila Tiranë? Ajo që zvarritet, qyrravitet, zhgarravitet? Ajo që ndaj Partizanit shkatërrohet për të marrë një barazim dhe që humb me Laçin, Luftëtarin e Korabin, dhe që hap këmbët ndaj Kukësit?

E meritojnë dhe nuk iu mbetet më asnjë lloj justifikimi, kur me bisht ndër shalë e kokulur shpresojnë thellë për ndonjë amnisti, ripeshkim a zgjerim kampionati. Gjëra të pamundura sipas logjikës, sipas ligjit. Por, kurrë mos thuaj kurrë! Eksperienca e ‘sistemit’ që ata evokojnë si të viktimizuar në çdo moment na e kujton vitin 74 të largët, kur byroja shpikte ‘play-off’ vetëm që t’i mbante ‘të persekutuarit’. Në vitin 2014, FSHF dhe klubet që të falnin lëmoshë rrëzuan Ballshin në mes të kampionatit nga kategoria, që minjtë të shpëtonin, teksa e siguruan mbijetesën me një ndeshje të paluajtur ndaj Kavajës.

E njëjta gjë kërkohet të bëhet sërish, të shpiket një mënyrë shpëtimi për skuadrën pa shpëtim, që nëse do t’i kishte mbetur pak nder (dyshojmë se ka pasur ndonjëherë), do të pranonte fatin e saj! Në fund një mesazh për tifozët me vija: do të ishim hipokritë të mëdhenj nëse nuk do t’ua kujtonim se ne ju futëm në krizë me një deklaratë. U përziet dhe u hodhët përpjetë për stadiumin e rikonstruktuar nga firma e Refikut. Nuk duronit dot që ne të luanim e të fitonim në atë fushë, ndërsa ju e dinit që s’do mundeshit të ishit si ne.

E dinit që s’do ta mbushnit sa ne, e dinit që nuk i masnit dot forcat me ne. Shpikët bojkotin, i ikët përballjes me ne, i ikët përballjes me ekipet kundërshtare, edhe përballjes me presidentin tuaj. Shkurt, ekipi ra se ‘ty ta boni koka’. Vazhdoni luftën me Refikun dhe bëjini fresk Lut Nurit, veç këtë intrigë bëjeni pak më fshehur, se bini kollaj në sy. E patë Edin e famshëm të ‘Fear of the red’, aty të strukur në Xhomllik? U çmendët kur stadiumi juaj, tempulli, siç e quanit, u shndërrua i kuq flakë e shkruhej me germa të mëdha emri që sundon qytetin prej ’46.

Në fund fituam ne. Fituam, por nuk gëzojmë, madje qajmë pikët e sigurta që do t’ua merrnim sezonin tjetër. Koha tregoi se fituam që në fillim, tani nuk ju mbetet gjë tjetër, veçse të merrni arkivolin sërish, të dilni në kortezh e kësaj radhe mos e lini bosh, merreni të gjithë skizofreninë tuaj, futeni në të dhe varroseni diku, mbase do të shpëtoni.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU