Ultras Guerrils/ Po na e kthejnë stadiumin në teatër. Do bojkotojmë

0
SHPËRNDAJE

Partizani/ Është kthyer në një betejë tashmë. Në “Selman Stërmasi” nuk mund të hysh pa një kartë identiteti, ndërsa në çdo cep të Shqipërisë ndodh ndryshe.

Policia, që garantimin e rendit në stadiume e sheh si barrë, ka gjetur mënyrën për të larguar ultrasit, të cilët i shohin si problematikë, ndërkohë që Guerrils nisur nga fakti që në klubin e tyre as që po bëjnë një lëvizje për ndryshimin e situatës, kanë dalë me një deklaratë ku kërkojnë nga tifozët të mos jenë në stadium.

DEKLARATA E GUERRILS
“Duam vëmendjen tuaj për pak çaste! Të të gjithë juve që keni qenë prezentë në mjerimin e ndeshjeve të fundit. Të të gjithë atyre që kur e ndjekin ndeshjen veç frymëmarrjes së tyre dhe zhurmë së topit, nuk dëgjojnë asgjë tjetër!

Të gjithë ju që jeni në gjendje të bëni diferencën e stadiumit dhe të teatrit. Ju mundeni, ata vipsat nuk munden, përndryshe nuk shpjegohet pasiviteti (i qëllimtë) që po e kthen stadiumin në një teatër të heshtur!

Ju që keni vënë të paktën një herë si cover një koreo tonën, një pyroshow apo një performancë nga shkallët që ju ka bërë krenarë që jeni pjesë e familjes së kuqe!

Ti që je anëtar, ti që nuk je, ti që mezi vjen në stadium. Ju tifozët e tribunës që jeni të gatshëm t’i përgjigjeni thirrjes sonë sa herë ne ua kërkojmë!

Ultras Guerrils janë në luftë ndaj represionit te policisë, atë që bën gjoja sikur vë rregull, por në fakt çrregullon me prepotencë tifozërinë tonë! Kërkesa e tyre për kartën e identitetit është e qëllimtë, e porositur nga lart, dhe e aplikuar brutalisht nga ata që dhunojnë hapur të drejtat e individit, të tifozit dhe ta përdorin për presion këtë kërkesë !

Ne nuk jemi jashtë stadiumit për kokëfortësi! Vlerat tona nuk mund t’i nëpërkëmbin kollarexhinjtë dhe ata nën uniformë. Ndaj, në respekt të këtyre vlerave, në respekt të familjes sonë, të asaj që ju përfaqësoni për ne dhe të asaj që ju jeni për ne, gjaku ynë i kuq, ju kërkojmë që ta lini stadiumin të boshatisur! Ashtu siç policia e do, ashtu siç porositësit e duan, duke filluar nga ndeshja me Laçin! Deri sa rregulli absurd që ndodh vetëm në qytetin tonë të hiqet!

Me shpresën që t’i vënë gishtin kokës dhe shkallët mjerane të rikthehen të buçasin ashtu siç dimë ne! Jo identifikimit, jo paragjykimit”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU