Vangjel Laluci : Dashuria e madhe e tifozëve mund të na penalizojë. Me Tiranën si një finale

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Vangjel Laluci beson te mbijetesa, ndër sa thekson se “lufta” do të vazhdojë deri në sekondat e fundit të këtij kampionati. Në një prononcim për “Panorama Sport”, drejtori i Flamurtarit tha se barazimi në Durrës ishte i vlefshëm, paçka se synimi ishte fitorja.

“Donim fitoren, por edhe me një pikë kënaqeshim. Duke qenë se doli barazim, nuk është edhe aq keq. Nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe, jemi shumë larg asaj që kemi parashikuar në fillim, por jemi edhe shumë afër rrezikut. Nuk ka asnjë vend për t’u vetëkënaqur apo për të thënë që jemi mirë. Edhe për ndeshjen e fundit me Korabin duhet vlerësim maksimal.

Nuk duhet të biem në pozita euforie, pasi kemi bërë tri ndeshje të mira. Do të luftojmë çdo ndeshje, ashtu siç kemi bërë këtë javë. Edhe kundërshtarët tanë po luftojnë fort, siç bëri Laçi me Kukësin. Laçi ishte kandidati potencial për të rënë nga kategoria, por ndoshta edhe jo. Laçi ka tri ndeshje brenda. Llogaritë duhet të bëhen me këmbë në tokë.

Fusha e Laçit është e vështirë dhe nëse ata marrin 9 pikë në këto ndeshje, shkojnë 38 pikë. Por kemi edhe takimin direkt me të. Ne nuk duhet të bëjmë gjysmë hapi fals. Është e patolerueshme me Tiranën. Laçi ka një ndeshje të rreptë me Korabin, edhe ne e kemi me Korabin, por situata është e komplikuar. Ndeshja që kaloi me Teutën ishte përgatitur. Loja ishte në ekuilibër”, tha fillimisht ai.

“FINALJA”

Drejtori i Flamurtarit deklaron se kuqezinjtë duhet të marrin maksimumin në ndeshjen me Tiranën.

“32 pikë ne dhe 32 Tirana. Ndeshjet janë të barabarta si për Tiranën, ashtu edhe për ne. Këtë llogari e bën edhe Tirana. Unë u surprizova në ndeshjen me Partizanin. Ishte një Tiranë tjetër, që më krijoi një interes tjetër, duke qenë se ndeshjen e radhës e ka me ne, pasi në këto javë ka qenë një Tiranë e dobët.

Tirana do të vijë e fortifikuar dhe e mobilizuar. Ata do të bëjnë detyrën e tyre edhe për shkak të historisë, traditës dhe kualiteteve. Është një ndeshje e vështirë. Në presion jemi edhe ne, kemi shumë presion. Kjo ndeshje duhet fituar. Pasi në të gjitha rastet, na bien kalkulimet.

Ai ekip që do të shfaqë karakter, psikologji e moral do të fitojë. Lojtarët tanë kanë stazh të gjatë, nuk u mungon aftësia. Them se çdo gjë do të shkojë mbarë. Ne kemi individë. Çdo lojtar ka vendin e vet, por ne e suportojmë shpejt. Problemi është te fryma e ekipit”, u shpreh Laluci.

PENALIZIMI

Zyrtari i Flamurtarit zbulon edhe çështjen e shumëpërfolur për apelimin në KAS. Ai sqaron se nuk ka më rrezik për heqje pikësh, por vetëm shpresë për rikthimin e tyre.

“Është një vendim që ka marrë FSHF, nuk do të ketë më heqje pikësh, por kreditim nga ana e FSHF-së për borxhet, me gjobë apo… Kur del ligji, nuk ka aftësi paravepruese. Ne e kemi marrë dënimin. Kjo është procedurë tjetër që nuk ka të bëjë me këtë. Ato pikë edhe mund t’i marrim nëse na jep të drejtë KAS. Në KAS është çështja e pikëve që na janë hequr”, tha drejtori.

TIFOZËT

Tifozët pritet që të kthehen në ndeshjen me Tiranën. Klubi ka paguar dënimin e fushës, por Vangjel Laluci ka një mesazh për ultrasit.

“Kanë qenë më shumë problematikë tifozët e ekipeve të tjera sesa të Flamurtarit. Ajo që ndodhi në ndeshjen me Skënderbeun është një rast i shkëputur. Tifozët i kemi shumë pozitivë. Unë i njoh personalisht. Ata japin shpirtin për ekipin dhe na kanë ndjekur nëpër rrethe. Por duhet të kenë kujdes se nga dashuria e madhe për ekipin, mund të ndikojnë edhe negativisht”, përfundoi drejtori i kuqezinjve.

ERMAL SIKA / PanoramaSport

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU