Vangjeli: Jemi shumë të mërzitur dhe të zhgënjyer nga rezultati

0
SHPËRNDAJE

Mbrojtësi i Skënderbeut Kristi Vangjeli ka zbërthyer krizën që ka përfshirë korçarët dhe që tashmë sheh kampionët e 6 sezoneve të fundit 5 pikë larg kreut. Në prononcimin për SuperSport, pas ndeshjes, Vangjeli ka shfajësuar trajnerët e korçarëve për këtë krizë, duke pranuar se lojtarët nuk kishin qenë në lartësinë e duhur, ndonëse pohoi se edhe në merkato nuk ishte bërë gjë për të zëvendësuar largimet cilësore.

“Kemi pësuar gol në rastin e parë në zonën tonë dhe të humbësh një ndeshje kur ekipi kundërshtar zbret 2 herë në portë në 95 minuta, domethënë që nuk ke asgjë për të thënë. Jemi të mërzitur dhe të zhgënjyer nga rezultati”.

“E sigurt se ne lojtarët e kemi dërguar ekipin në këtë situatë. Kjo vlen që nga faza e parë e deri më tani. Problemi i madh kemi qenë ne, as trajneri Daja dhe as kush tjetër. Ne duhet ta kthejmë ekipin në këto javë që kanë mbetur në luftën për titullin kampion”.

“Nuk do të thosha që mbrojtja ka bërë punën e saj, një ekip kampion është që nga portieri dhe deri te sulmuesi. Ne jemi grup i mirë bashkë, grupi është forca e ekipit. Ajo që kemi pas probleme është që në 60 për qind të ndeshjeve kemi shënuar vetëm një gol, nuk kemi shënuar shumë.

Në fazën e parë dhe të dytë nuk kishim besimin e duhur si ekip, nuk kishim qarkullimin e topit që ka qenë forca më e madhe e skuadrës. Po ta shohim më thellë, kemi humbur shumë lojtarë dhe nuk kanë ardhur përforcimet e duhura. Edhe kjo është diçka negative.

Ndërkohë që në këtë moment nuk ndryshojmë dot asgjë, grupi aktual besoj se ka fuqinë dhe e ka treguar. Besoj se vazhdimësinë duhet ta tregojë nga i pari deri te i fundit në ekip”.

“Eshtë më e vështirë se janë dy ekipe, nuk është një, prandaj është më e vështirë. Ndërkohë që besoj se janë 9 javë dhe do të përballemi me të dy dhe ata me njëri-tjetrin. Kemi një kalendar më të vështirë se kundërshtarët se luajmë më shumë në transfertë dhe ndaj ekipeve të mira.

Ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të tregojmë forcën në fushë, ta tregojmë çdo javë. Nëse do luajmë kështu edhe të mos fitojmë, vetëm të vazhdojë kjo lojë. Ndërkohë që besoj se kështu do të vijë edhe goli, edhe rezultati”.

“Për Skënderbeun dhe atë që ka treguar gjithë këto vite, është e patolerueshme që të regjistrojë tre barazime radhazi, ajo na ka lënë mbrapa, nuk besoj se janë ndeshjet direkte. Nëse do vendosim gjithë forcën tonë në këto ndeshje të mbetura, besoj se i kemi të gjitha mundësitë të tregojmë të gjithë agresivitetin që kishte ekipi sot dhe të kthejmë këtë -5 që kemi nga ekipet para”.

“Nuk është në dorën tonë, por është në dorën e kundërshtarëve. Ndërkohë që besoj se nuk kanë aftësitë e duhura që të bëjnë atë që mund të bëjmë ne”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Skënderbeut, Kristi Vangjeli. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.