Vazhdon avazi, Tirana nuk e mund dot Partizanin në derbin e madh

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Partizani fiton derbin numër 149 ndaj Tiranës. Të kuqtë triumfuan 2-1 në duelin që uli siparin e javës së 22-të të Kategorisë Superiore.

Në “Selman Stërmasi”, ku Partizani sot luante si pritës, skuadra e Sulejman Starovës gjeti avantazhin me golin e Renato Malotës në të 12-n. Dy minuta pas pushimit Olsi Teqja përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Hoxha për të barazuar shifrat. Megjithatë baraspesha nuk zgjati shumë, pasi në të 70-n Ekuban përmbylli me sukses një aksion të bukur të të kuqve.

Takimi nis me një ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që shohin në portat e njëra-tjetrës.

Rasti i parë serioz vjen në minutën e 7-të, teksa të kuqtë japin sinjalin e parë, fillimisht me traversën që ndal mbrojtësin Fejzullahu dhe menjëherë më pas Mazrekaj gjuan jashtë.

Pa u mbushur dy minuta akoma të plota dhe nuk vonon përgjigjja bardheblu. Pas një topi të humbur nga Ramadani, Taku përfiton dhe ka mundësi të pasojë në të majtë, por zgjedh gjuajtjen dhe është i pasaktë.

Eshtë minuta e 13-të dhe Partizani kalon në avantazh. Renato Malota përfiton nga një krosim i mesfushorit Trashi nga një goditje dënimi dhe, i harruar nga mbrojtësit kundërshtarë, nuk e ka të vështirë ta mposhtë portierin Ilion Lika me kokë. 1-0.

Tirana mundohet të reagojë dhe në të 15-tën shpërdoron një mundësi të artë për të barazuar. Afrim Taku me një pasim gjen në zonë Cisse, por gjuajtja e sulmuesit ndalet mrekullisht që në nisje nga Hoxha, teksa portieri mbetet i dëmtuar në dalje.

Me avantazhin në xhep, Partizani përpiqet ta shtrojë lojën duke e qarkulluar topin sa më shumë të jetë e mundur, ndërsa në minutën e 28-të Ekuban niset drejt zonës kundërshtare, por në hyrje Doka e ndal me faull. Goditjen e merr përsipër Mazrekaj, por e djathta e tij ndalet në murin bardheblu.

Në fundin e pjesës së parë, të kuqtë zbresin sërish rrezikshëm. Ekuban merr një top në hyrje të zonës dhe provon me të majtën, por gjuajtja e sulmuesit ndalet në nisje nga shpina e mbrojtësit Olsi Teqja.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa pjesa e dytë nis me ndryshim te Partizani. Mentor Mazrekaj lihet në stol dhe futet Renaldo Kalari, i cili merr vendin e tij në të majtë të mbrojtjes, duke nxjerrë mesfushorin Trashi përpara.

Në minutën e 60-të, Lorenc Trashi çon dëm rastin ideal për të kaluar sërish përpara Partizanin. Pasi merr një pasim të shkëlqyer nga Ekuban në zonë, mesfushori del i vetëm me portierin Ilion Lika i cili bën një ndërhyrje shpëtimtare.

Eshtë minuta e 70-të dhe Partizani kalon sërish në avantazh. Aksion i bukur në zonë, Torassa gjen sulmuesin Ekuban i cili e shtyn topin në rrjetë: 2-1.

Pas golit, të dy trajnerët, si Sulejman Starova dhe Mirel Josa, bëjnë zëvëndësimet e tyre, teksa në lojë aktivizohet Marko Cetkoviç për Partizanin, ndërsa për Tiranën futen në lojë Reuben Acquah, Grent Halili dhe Olsi Teqja.

Kur po kronometrohej e 91-ta, vjen një mundësi e mirë për Partizanin. Torassa vertikalizon për sulmuesin Ekuban, por topi është pak më i fortë seç duhet dhe Ilion Lika e mbron në dalje.

Ndërkaq, Partizani fiton sekonda të çmuara me zëvendësimin e tretë, teksa Labinot Ibrahimi zë vendin e sulmuesit Agustin Torassa.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori dhe, skuadra e Partizanit fiton mbrëmjen e sotme me shifrat 2-1, ndërsa futbollistët e Tiranës dhanë maksimumin e tyre për të nxjerrë një ndeshje fantastike, ndryshe nga ato të dy fazave të para.

Me këtë sukses 15 herë kampionët e vendit e dërgojnë në 12 serinë e ndeshjeve pa humbje ndaj rivalëve bardheblu, por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti që fitorja e afron Partizanin katër pikë pas Kukësit kryesues dhe -2 nga Skënderbeu, kurse Tirana ndan me Vllazninë vendet 5 dhe 6.

Javën e ardhshme, Partizani luan në transfertë me Kukësin ku edhe një pikë nuk do të ishte keq, ndërsa Tirana pret Flamurtarin në shtëpi, teksa do kërkohet kthesa e menjëhershme. /minuta90.com/

Partizani-Tirana 2-1

Golat: Malota 13’, Ekuban 70’ / Teqja 47’

Partizani (3-5-2): Hoxha, Fejzullahu, Krasniqi, Malota, Vila, Batha, Ramadani (Cetkoviç 67’), Trashi, Mazrekaj (Kalari 46’), Torassa (Ibrahimi 90’+1), Ekuban (në dispozicion: Xhika, Kalari, Bardhi, Cetkoviç, Fili, Boniface) Tr: Sulejman Starova

Tirana (4-3-3): I. Lika, Doka, Muça, Teqja (Turtulli 88’), Hoxhallari, Taku, Daja, Ndockyt, G. Lika (Acquah 77’), Nkounkou (Halili 84’), Cisse (në dispozicion: Bakaj, Cake, Deliaj, Nuriu) Tr: Mirel Josa

Gjyqtarë: Kridens Meta, Ergin Doda, Denis Rexha, Dojando Myftari, Kreshnik Cjapi, Adrian Beqiri

Kartonë të verdhë: Cetkoviç 90’+2 / Hoxhallari 39’, Daja 58’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.