Vendos sërish Hamdi Salihi, Skënderbeu ngjitet në vendin e dytë

0
SHPËRNDAJE

Skënderbeu ka regjistruar fitoren e tretë radhazi me rezultatin minimal 1-0 nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja. Korçarët kanë mposhtur në shtëpi Laçin në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore falë një goli të sulmuesit Hamdi Salihi në minutën e 22-të.

Takimi nis me një ndeshje të qetë pa raste të rrezikshme për shënim dhe me topin që qarkullon më shumë në mesfushë.

Rasti i parë dhe vjen goli. Eshtë minuta e 22-të dhe Lilaj pason mjaft të bukur për sulmuesin Salihi pasi futet në zonë nga e djathta dhe shkodrani tregohet i saktë duke e shtyrë topin drejt rrjetës. 1-0.

Laçi mundohet të reagojë, por pa rezultat. Në minutën e 38-të, Vucaj tenton portën me anë të një goditjeje dënimi, por topi shkon jashtë mbi traun e portës.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me Laçin që kryen zëvendësimin e parë, teksa largohet Serginho, dhe në fushë Kanapari.

Minutat e para të pjesës së dytë kalojnë në qetësi teksa mungojnë rastet e rrezikshme. Mundësia e parë e pjesës së dytë vjen në të 60-tën, kur Latifi tenton me një goditje të rrezikshme nga jashtë zonës, por topi del jashtë mbi traun e portës.

Të dy trajnerët bëjnë zëvëndësimet e tyre, teksa aktivizohen Predescu, Malaj dhe Gripshi për Skënderbeun, ndërsa për Laçin futen në lojë Çelhaka dhe Kejvi Bardhi.

Në të 66-tën, Osmani tenton me një goditje të shtrirë nga hyrja e zonës, por Selmani e devijon topin në goditje këndi.

Kur po kronometrohej e 81-ta, Latifi jep një krosim fantastik diagonal për sulmuesin Salihi dhe ky i fundit devijon lehtë me kokë, por topi shkon jashtë ngjitur me shtyllën.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Skënderbeun nuk ndryshon, pasi fiton me një rezultat minimal, ndërsa Laçi nuk ka forcë për t’u kundërpërgjigjur pasi vendasit korçarë administruan mirë lojën duke dominuar, ashtu si rrallë herë këtë sezon.

Me këtë fitore, kampionët në fuqi ngjiten në vendin e dytë me 41 pikë të grumbulluara, duke kaluar Partizanin me 2 pikë diferencë. Ndërkohë Kukësi kryesues është vetëm 1 pikë larg, por me një ndeshje më pak, atë që do të zhvillojë në orën 17:00 në “Selman Stërmasi” kundër Tiranës. Sa i përket Laçit, kurbinasit renditen në vendin e 9 me 20 pikë, po aq sa Teuta dhe Flamurtari që qëndrojnë më lart.

Javën e ardhshme, Skënderbeu pret Luftëtarin në shtëpi, ndërsa Laçi pret edhe ajo në shtëpi Kukësin, teksa një pikë mund të quhet pozitive ndaj verilindorëve, por më përpara të dyja këto ekipe do të luajnë së bashku sërish për llogari të Kupës së Shqipërisë. /minuta90.com/

Skënderbeu-Laçi 1-0

Goli: Salihi 22’

Skënderbeu (4-3-3): Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Orelesi (Predescu 62’), Osmani (Malaj 84’), Lilaj, Adeniyi (Gripshi 85’), Latifi, Salihi Tr: Ilir Daja

Laçi (4-4-1-1): Selmani, Lulaj, Qaqi, Gjoni, Shala, Nika (Çelhaka 64’), Jonuzi, Vucaj (Bardhi 74’), Lushkja, Serginho (Kanapari 46’), Mensah Tr: Bledar Sinella

Gjyqtarë: Adrian Beqiri, Denis Rexha, Alfred Shkreta, Juxhin Xhaja

Kartonë të verdhë: S’ka

S'KA KOMENTE

Comments are closed.