Video – Flet futbollisti i cili u ‘turpërua’ nga Cruyff, befason me fjalët e tij

0
SHPËRNDAJE

Johan Cruyff vallëzonte në fushë. Dukej një balerin i çmendur, teksa rrotullohej në skenën e tij, fushën e futbollit, duke magjepsur publikun e gjithë botës.

Nureyev­i holandez. Por edhe Michelangelo i artistëve të topit. Pikturonte futbollin, dhe e bënte me një natyrshmëri të pabesueshme. Golat ishin si afreske që duheshin adhuruar, fintet si firma e autorit.

Kthesa e tij do të mbetet e gdhendur në memorien futbollistike të të gjithëve. Ajo lëvizje mashtruese me trup, me topin e fshehur me thembër mbas këmbës mbështetëse, ka krijuar shumë “viktima”. Kthesa më e famshme ka qenë ajo e Botërorit 1974, Botërori i Holandës së mrekullueshme të futbollit total, e cila është mundur vetëm në finale nga Gjermania Perëndimore.

Cruyff ishte lider i atij ekipi, duke dhuruar gola dhe lëvizje gjeniale. Por, në fund, në histori ka mbetur ajo finte. Viktima? Jan Olsson, mbrojtësi suedez, i cili ka pasur fatin e keq të ketë përballë numrin 14 të “Oranje”. Por është falë tentativës së tij të kotë për të ndalur gjeniun Cruyff, që Olsson është bërë pjesë e historisë së Botërorëve.

Dhe ka qenë vetë ish-­mbrojtësi suedez që e ka rrëfyer këtë në një shkrim për “Times”. Homazhi i tij për Cruyff është një kujtim i sinqertë dhe prekës: “Cruyff më ka dhuruar momentin e karrierës për të cilin ndihem më shumë krenar.

Ajo finte më ka bërë të futem në histori. Është pikërisht falë asaj magjie të Johan, që të gjithë më mbajnë mend”

“Ka qenë një nder për mua të isha përballë teje kur vendose të prodhoje atë magji. E kam parë filmin e Kupës së Botës 1974 shumë herë.

Familja ime dhe të gjithë miqtë e mi më tallin gjithmonë kur e shikojnë atë finte! Por çfarë duhej të kisha bërë për ta ndalur? Cruyff ka qenë më i madhi i të gjitha kohërave. Ishte i shpejtë, i zgjuar. Gjatë karrierës sime kam luajtur kundër lojtarëve të mëdhenj, por nuk jam përballur kurrë me një më të fortë se ai.

Jam ndeshur katër herë me të, nuk kam fituar kurrë. Ishte i pakapshëm. Çdo herë që mundohesha ta ndalja e pasonte menjëherë topin te shokët e ekipit dhe ti mbeteshe në vend. Ishte një lider dhe ishte idhulli im. Do të mbetet gjithmonë në zemrën time”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.