Vllaznia, akord me mesfushorin Nurudeen Orelesi

0
SHPËRNDAJE

Vllaznia realizon një tjetër goditje të rëndësishme në merkato. Shkodranët kanë gjetur akordin me mesfushorin Nurudeen Orelesi për sezonin e ardhshëm.

Klubi dhe lojtari kanë rënë parimisht dakord për bashkëpunimin, ndërsa kanë mbetur për t’u zgjidhur disa detaje të kontratës. Në këtë situatë, transferimi i nigerianit në Shkodër duket thuajse i përfunduar dhe pritet vetëm zyrtarizimi.

Orelesi do të mbrojë ngjyrat e Vllaznisë, pasi mbylli aventurën te Skënderbeu, me palët që vendosën të mos rinovonin kontratën. Lojtari luan prej vitit 2010 në kampionatin shqiptar, ku pas aktivizimit për një sezon te Dinamo, prej edicionit 2011-’12 iu bashkua korçarëve.

Në 2014-ën nigeriani u transferua në Ukrainë, për, t’u kthyer në mes të edicionit 2015-’16 te Skënderbeu, ndërsa sezonin e kaluar regjistroi 33 ndeshje në Kategorinë Superiore, nga të cilat 31 si titullar.

Nurudeen Orelesi bëhet përforcimi i tretë e Vllaznisë në merkato, pas mesfushorëve Gilman Lika dhe Edon Hasani. Ai është gjithashtu edhe lojtari i parë i huaj që i bashkohet shkodranëve gjatë kësaj vere, ndërsa në provë janë edhe mbrojtësi boshnjak, Amer Dupovaç dhe sulmuesi ganez Charles Atsina. /minuta90.com/

Foto e mesfushorit Nurudeen Orelesi në zyrat e Bashkisë së Shkodrës, së bashku me drejtorin sportiv, Eugent Zeka. Foto: Denis Bajraktari
Foto e mesfushorit Nurudeen Orelesi në zyrat e Bashkisë së Shkodrës, së bashku me drejtorin sportiv, Eugent Zeka. Foto: Denis Bajraktari

S'KA KOMENTE

Comments are closed.