Vllaznia, analizë për humbjen me Partizanin, ka edhe kritika

0
SHPËRNDAJE

Pas një dite pushimi, futbollistët e Vllaznisë, mesditën e së martës i janë rikthyer sërish stërvitjes dhe përgatitjeve për sfidën e radhës. Por, paraprakisht, ekipi ka zhvilluar analizën e ndeshjes së fundit me Partizanin, të humbur vetëm në minutat e fundit të saj.

Kuptohet që stafi teknik, përveç rezervave të shfaqura që pas ndeshjes për gjykimin e saj, është ndalur edhe tek gabimet e futbollistëve kuqeblu. Trajneri Armando Cungu dhe ndihmësit e tij, Aleksandër Maxhar dhe Avenir Dani për disa minuta janë ndalur te loja e gjithsecilit, duke dhënë dhe vlerësimet për to, si në aspektin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ.

Nga ana tjetër, analiza është përqendruar edhe te vazhdimi i mëtejshëm i kampionatit, që pritet të jetë shumë i ashpër. Ajo çfarë numri 1 i pankinës shkodrane kishte paralajmëruar prej kohësh, tashmë po bëhet realitet dhe gara, si për kreun, ashtu edhe për fundin e renditjes, ka hyrë në një fazë shumë interesante.

Thuajse të gjitha ekipet pjesëmarrëse në Superligën Shqiptare nuk e kanë të qartë pozicionin e tyre në renditje, sepse mjaftojnë vetëm një apo dy humbje dhe mund të prishësh gjithçka ke ndërtuar deri tani. Për këtë arsye, nga sa mësohet, trajneri Cungu u ka kërkuar futbollistëve të tij të bëjnë shumë kujdes në ndeshjen e radhës, që do të luhet ditën e shtunë, në orën 14:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, ndaj Flamurtarit.

Diferenca mes dy ekipeve tashmë është vetëm një pikë dhe patjetër që Vllaznisë i duhet fitorja. Në radhët e saj do të ketë sërish mungesa, teksa përveç lojtarëve të dëmtuar, si Stefan Cicmil, Ambroz Kapaklija, Arsid Kruja dhe Eraldo Çinari, nuk do të jetë për arsye kartonësh edhe mesfushori Bardulla.

Poashtu, mbetet për t’u parë gjendja e mbrojtësit Denis Pjeshka të dëmtuar ndaj Partizanit. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.