Vllaznia, Dështon Asambleja e Përgjithshme

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Vllaznia / Pas 6 vitesh funksionimi të klubit të futbollit Vllaznia, sot për herë të parë ishte thirrur Asambleja e Përgjithshme, e cila do të merrte disa vendime të rëndësishme, që kanë të bëjnë me funksionimin e këtij klubi. Por, çuditërisht, edhe këtë herë, asambleja nuk i ka zhvilluar punimet. Ka ndodhur kështu, sepse ka munguar numri i duhur i këshilltarëve bashkiakë (që janë njëkohësisht edhe anëtarë të asamblesë). Nga 51 anëtarë, që ka ky këshill, kanë qenë të pranishëm në sallë vetëm 14 prej tyre. Për këtë arsye, kryetari i këshillit, Xhemal Bushati, ka bërë me dije se mbledhja do të zhvillohet në një datë tjetër, që sipas ligjit, është deri në 30 ditë nga sot. Diçka e çuditshme në fakt kjo që ndodh, sepse shpeshherë mbledhjet e këshillit bashkiak kanë shërbyer si arenë debatesh e polemikash në mes këshilltarëve. Pikërisht, këtë here, që do zhvillohej për herë të parë një mbledhje për të gjitha këto gjëra, ata mungojnë.

Deri diku kanë qenë të justifikuar, sepse paraditen e sotme është zhvilluar edhe mbledhja e rradhës e këshillit bashkiak, e cila ka nisur në orën 10:00 dhe ka zgjatur tri orë. Më pas, këshilltarët janë lënë pak minuta pushim me idenë e rikthimit sërish në sale, për të vazhduar me mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të KF Vllaznia sh.a. Në sallë kanë qenë të pranishëm pak këshilltarë, ndërkohë që anëtarët e këshillit mbikqyrës të klubit dhe administratori Gjyrezi ishin bërë gati për të relatuar mbi të gjitha materialet që kishin përgatitur. Në lidhje me dështimin e kësaj mbledhjeje, administratori i klubit është shprehur për mediat: “Më vjen keq që ndodhi kështu, sepse ishim përgatitur për këtë mbledhje, e cila kishte një rëndësi të madhe. Ishte hera e parë që ulemi në këshillin bashkiak dhe diskutojmë për platformat e Vllaznisë. Në rendin e ditës ishte miratimi i pasqyrave financiare të viteve 2014 dhe 2015, që ishin të mbaruara nga vitet e kaluara dhe unë i kam gjetur, në këtë mënyrë dhe kemi detyrimin ligjor t’i miratojmë. Ato kanë kaluar më parë në këshillin mbikqyrës.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.