Vllaznia dhe Partizani ndajnë pikët me nga dy supergola

0
SHPËRNDAJE

15182329_1015473935248941_803874970_o

Pas eliminimit nga Kupa, pritej reagimi i Partizanit, por ishte një gjysmë reagim. Vllaznia dhe Partizani janë ndarë në barazim 1-1 në takimin e sotëm të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Shkodranët arritën të kalonin në avantazh që në minutën e 4-t falë një goli mjaft të bukur të Çinarit, por Partizani u kundërpërgjigj në minutën e 79′ me një supergol të Bathës, i cili realizoi duke goditur topin me parabël.

Kështu, të kuqtë u ndalën sot te barazimi në Shkodër, në një sfidë të vështirë, ndaj një kundërshtari që luajti shumë mirë.

Pjesa e parë ishte shkodrane, me Çinarin që shënoi një gol të bukur që në minutën e katërt, duke tronditur skuadrën e drejtuar nga Starova.

Të dyja skuadrat vuajnë për të gjetur golin dhe vetëm në pjesën e dytë ndeshja ndryshoi fytyrë, sepse Partizani bëri zëvendësimet e duhura dhe në minutën e 79-të Batha gjeti një supergol, me një parabël mjaft të zgjuar.

Gjithsesi, vetëm një pikë për Partizanin, që sheh kreun t’i largohet sërish, por në Shkodër pranohej një pikë.

Takimi nis me sulmuesin Çinari që kalon në avantazh Vllazninë pas një topi të shkëlqyer të marrë nga Shtubina. Pasi lë pas vetes mbrojtësat e kuq, godet nga hyrja e zonës duke mos i lënë asnjë shans portierit Hoxha.

Partizani mundohet të reagojë dhe në të 9-tën dhe të 18-tën, ka dy raste të pastra, të dyja me protagonist Ekuban. Sulmuesi, në rastin e parë, tenton rrezikshëm me një goditje brenda zonës, por topi del jashtë mbi traun e portës, ndërsa në rastin e dytë, tenton me një goditje me kokë brenda zonës, por topi shkon jashtë ngjitur me shtyllën.

Minutat kalojnë të qeta teksa mungojnë rastet e pastra për shënim, me Partizanin që tregon më shumë dëshirë, por i mungon saktësia për të ndëshkuar shkodranët.

Në fundin e pjesës së parë, Vila tenton me një goditje nga distanca, por topi përfundon jashtë. Pas një minute, sërish Vila merr një top në zonë nga një krosim i Trashit nga e majta, por goditja e tij e rrezikshme shumë afër portës del jashtë.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me Partizanin që pretendon për një prekje të topit me dorë brenda zonës nga ana e shkodranëve, por gjyqtari Jemini nuk është i atij mendimi.

Në të 63-tën, Vila godet shtyllën me një goditje të rrezikshme nga brenda zonës, ndërkohë më pas Ekuban nuk shfrytëzon dot topin e rikthyer në lojë.

Në të 73-tën, Trashi tenton portën me anë të ekzekutimit të një goditjeje dënimi, por topi del jashtë pak mbi traun e portës.

Pas dy minutash, Kalaja tenton me një goditje nga jashtë zonës, e cila shkon rrezikshëm jashtë, shumë pak mbi traun e portës.

Partizani vijon sulmet e pareshtura, kur në të 78-tën, Agoviç largon në goditje këndi një gjuajte me kokë të rrezikshme të Azubel.

Në të 79-tën, Batha barazon shifrat duke realizuar një supergol pas goditjes me parabël të topit nga brenda zonës.

Pesë minuta para fundit të ndeshjes, Ekuban tenton me një gjuajtje të rrezikshme, por Agoviç e largon në goditje këndi.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me të dyja ekipet që ndajnë nga një pikë.

Pas këtij takimi, Partizani ngjitet në kuotën e 20 pikëve, duke u klasifikuar në vendin e 4-t me pikë të barabarta me Kukësin dhe Tiranën që renditen më lart falë golavarazhit, ndërsa Vllaznia mban vendin e 5-të me 12 pikë, po aq sa Luftëtari i vendit të 6, por me superioritet në golavarazh.

Javën e ardhshme, Vllaznia luan në transfertë me Flamurtarin, ndërsa Partizani pret në shtëpi Teutën. /minuta90.com/

Vllaznia-Partizani 1-1

Golat: Çinari 4’/ Batha 79’

Vllaznia: Agoviç, Gocaj, Cicmil, Bicaj, Marku, Tafili, Krymi (Vrapi 60’), Weitzer (Pjeshka 76’), Çinari (Pepa 90’+3), Kalaja, Shtubina (në dispozicion: Selimaj, Hoxha, Vecaj, Dyca) Tr: Armando Cungu

Partizani: Hoxha, Ibrahimi (Fili 63’), Krasniqi, Atanda, Kalari (Bardhi 64’), Batha, Ramadani, Trashi, Vila, Torassa (Azubel 73’), Ekuban (në dispozicion: Xhika, Malota, Hakaj) Tr: Sulejman Starova

Gjyqtarë: Lorenc Jemini, Ermal Barushi, Denis Rexha, Herald Lisaku

Kartonë të verdhë: Atanda 75’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.