Vllaznia hedh në “tapet” Skënderbeun

0
SHPËRNDAJE

Vllaznia – Skënderbeu 1-0

Shënues: Kalaja 65′

Vllaznia: Dragojevic, Arbri, Cicmil, Vrapi, Marku, Sefa, Bardulla, Krymi, Shtubina, Çinari, Kalaja. Trajner: Armando Cungu

Skënderbeu: Shehi, Radas, Osmani, Jashanica, Arapi, Nimaga, Shkëmbi, Abazi, Esquerdinha, Latifi, Salihi. Trajner: Mirel Josa

Superiorja/ Ka nisur në mënyrën më të keqe faza e tretë për kampionët e Skënderbeut që e kanë filluar me humbje fazën e tretë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Vllazninë që arrin t’a nisë me fitore. Ndeshja e luajtur në Shkodër ka përfunduar me rezultatin 1-0 për kuqeblutë dhe duket se ardhja e trajnerit Armando Cungu në krye të pankinës shkodrane ka sjellë efektin e duhur në skuadër, pasi ata kanë luajtur si të barabartë ndaj një kundërshtari më superior në letër, madje duke e mposhtur atë.

imageKa mjaftuar një gol i sulmuesit Arlind Kalaja në minutën e 65′ për të marrë një trepikësh me shumë vlera ndaj një kundërshtari të fortë. Pjesa e parë ishte e barabartë për të dyja skuadrat që nuk rrezikuan thuajse për asnjë rast portat kundërshtare. Me rrjeta të paprekura do të mbyllej pjesa e parë, në të cilën ra më shumë në sy grinta e lojtarëve shkodranë dhe jo loja e mirë e kampionëve të Skënderbeut. Në pjesën e dytë skuadra shkodrane vendoset mjaft mirë në fushë dhe arrin të luajë më mirë. Goli do të vinte në minutën e 65′ të sfidës teksa Arlind Kalaja do të mposhtë portierin Shehi për të kaluar të tijtë në avantazh. Ndizet atmosfera në “Reshit Rusi” pasi Vllaznia po zhvillon vërtet një super ndeshje.

Kampionët e Skënderbeut janë dukur të pafuqishëm për të reaguar, duke pasqyruar qartë se nuk do të jetë më i njëjti ekip pas largimit të Olainkës dhe Berishës. Pavarësisht se rastet nuk do të mungonin, deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte. Vllaznia merr një fitore me mjaft vlera ndaj Skënderbeut. Armando Cungu bën një debutim fantastik duke mposhtur ekipin më të fortë në kampionat. Me këtë fitore skuadra shkodrane ngjitet në kuotën e 18 pikëve duke u larguar disi nga zona e ftohtë, ndërkohë Skënderbeu mbetet në krye me 43 pikë, por mund të arrihet nga Partizani që ka një ndeshje më pak.

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.