Vllaznia ia beson portën “gardianit” Selimaj edhe ndaj Flamurtarit

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Stafi teknik i Vllaznisë pritet t’ia besojë sërish vendin në portë, edhe në ndeshjen ndaj Flamurtarit, portierit Erind Selimaj. Një përshtypje e tillë të krijohet duke parë seancat stërvitore të këtyre ditëve, teksa portieri shkodran është favorit për të qenë titullar më shumë sesa malazezi Jasmin Agoviç.

Ky i fundit ka luajtur për 19 javë në portë, duke bërë paraqitje përgjithësisht të mira, por jo të pakta kanë qenë edhe gabimet e tij. Nisur nga kjo, trajneri Armando Cungu, pasi është konsultuar edhe me trajnerin e portierëve Avenir Dani, vendosën ta aktivizojnë portierin Selimaj që ndaj Partizanit në formacion.

Paraqitja e tij ka qenë përgjithësisht e mirë, me përjashtim të ndonjë dyshimi të vogël për vendosjen e tij te goli i parë i të kuqve. Por, gjithsesi, kjo gjë nuk e ka ndryshuar mendimin e stafit, që duket se e ka vendosur për ta patur si titullar edhe në takimin e së shtunës ndaj Flamurtarit.

Nga ana tjetër, në formacion për këtë sfidë nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të madh. Mungesa e mesfushorit Florind Bardulla për arsye kartonësh po llogaritet të kompesohet me aktivizimin e të riut Uendi Vecaj nga minuta e parë dhe kjo gjë do të bënte që edhe skema e lojës së Vllaznisë të ndryshonte.

Nga 4-3-2-1, me të cilën ata luajnë zakonisht, këtë herë pritet të luajnë me 4-4-2, ku si sulmues të mirëfilltë do të jenë Ndriçim Shtubina dhe Elis Bakaj. Natyrisht që nuk ka zgjidhje tjetër për Vllazninë, sepse atyre u duhet ta fitojnë me çdo kusht këtë sfidë shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme në kampionat. /minuta90.com/

Ekipi i Vllaznisë, në seancën e sotme stërvitore, në prag të ndeshjes me Flamurtarin
Ekipi i Vllaznisë, në seancën e sotme stërvitore, në prag të ndeshjes me Flamurtarin

S'KA KOMENTE

Comments are closed.