Vllaznia, nisin përgatitjet anti-Skënderbeu

0
SHPËRNDAJE

Pasi ka konsumuar pushimin e së hënës që vinte një ditë pas ndeshjes së fundjavës me Korabin, Vllaznia ka nisur të martën përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë që do të luhet këtë fundjavë në stadiumin “Loro Boriçi” përballë Skënderbeut kampion. Një ndeshje e vështirë kjo për skuadrën e trajnerit Armando Cungu, por që gjithsesi kuqeblutë do të përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre për të marrë pikë në mënyrë që të vijojnë të qëndrojnë në pozita komode të mesit të tabeles së klasifikimit, teksa edhe një pikë mund të konsiderohej pozitive.

Përpos vështirësisë që përmban në vetvete kundërshtari si ekip, për trajnerin Cungu do të ketë jo pak problem edhe me mungesat që pritet të ketë në këtë sfidë, ku krahas atyre me dëmtime i shtohen edhe skualifikimet me kartonëve të verdhë. Kështu mbrojtësit Olsi Gocaj dhe Endri Vrapi, si dhe mesfushori Ardit Krymi me kartonët e marrë ndaj Korabit janë të pezulluar për sfidën e radhës ndaj Skënderbeu.

Këto janë tre mungesa zyrtare dhe të sigurta për trajnerin Cungu që vijnë për arsye kartoni, por ajo që tërheq vemendjen është një infermieri e mbushur plot me dëmtime. Në seancën e së martës zhvilluar si zakonisht në fushën “Reshit Rusi” nuk janë stërvitur me skuadrën Stefan Cicmil, Denis Pjeshka, Antonio Marku, Landry Mulemo, Ambroz Kapaklija dhe Bekim Erkoçeviç.

Plot gjashtë të dëmtuar që duke i shtuar edhe tre të pezulluar, numri i mungesave shkon në nëntë. Më i prekuri në këtë drejtim është reparti i mbrojtjes, kur gjashtë prej tyre i përkasin këtij reparti, Olsi Gocaj, Stefan Cicmil, Endri Vrapi, Denis Pjeshka, Antonio Marku, Landry Mulemo, Ardit Krymi, Ambroz Kapaklija dhe Bekim Erkoçeviç.

Mungesa këto që e bëjnë me dhimbje koke trajnerin Armando Cungu, të cilit do t’í duhet të improvizojë një formacion krejt tjetër në krahasim me javët e mëparshme. Ndeshja Vllaznia-Skenderbeu është vendosur që të luhet diten e shtunë në orën 17:00 dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti në SuperSport 3 HD. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.