Vllaznia prish mallkimin në Vlorë, mund Flamurtarin pas 9 vitesh

0
SHPËRNDAJE

nis-loja3Me ‘barkun thatë” nuk ka mrekullira, mjafton të kujtojmë vetëmohimin e Partizanit para disa vitesh. Flamurtari u mund sot në Vlorë 1-0 nga Vllaznia, në një sfidë të vendosur nga një gol i qendërmbrojtësit Cicmil në minutën e 37-të.

Kështu shkodranët thyejë mallkimin nëntëvjeçar pa fituar në Vlorë. Suksesi i fundit i kuqebluve datonte në sezonin 2006-2007 (0-2). Që atëherë, Flamurtari kishte fituar nëntë herë dhe barazuar një.

Një ndeshje e zbehtë, ku Flamurtari duket qartë që nuk është vetvetja, mes halleve pa fund, ndërsa Vllaznia bëri atë që di të bëjë më mirë, duke pritur me qetësi rastin për të goditur. E bëri shumë mirë, pikërisht kur Flamurtari po dominonte, ndërsa aq u desh që energjitë e pakta mendore të Flamurtarit të shteronin.

Në pjesën e dytë vetëm presion territorial, me portierin mik Agoviç që nuk vuajti fare. Vllaznia në festë, merr edhe flamurin vlonjat me vete, sepse vetëm ai kishte mbetur aty.

Takimi nis i shpejtë, me vendasit që japin sinjalin e parë me kapitenin Bruno Telushi, në të 2-tën minutë. Mesfushori provon me të djathtën nga hyrja e zonës, por nuk gjen dot kuadratin e portës.

Nuk vonon kundërpërgjja e Vllaznisë. Weitzer gjuan me të djathtën, mirëpo goditja e mesfushorit shkon ngjitur me shtyllën.

Në të 13-tën, një tjetër tentativë e formacionit vlonjat për të rrezikuar. Donjet Shkodra provon me të djathtën nga një goditje dënimi pranë zonës, por pa e shqetësuar portierin Agoviç i cili e shoqëron topin jashtë.

Këmbëngulje e gjatë e kuqezinjve vendas, të cilët luajnë më mirë në këtë fillim të ndeshjes. Ata këmbëngulin me krosime nga krahët, por mbrojtja shkodrane e zgjidh situatën.

Në të 20-tën, Radoviç provon të depërtojë në zonë, por ndalet nga Bardulla në hyrje. Flamurtari proteston për faull, megjithatë për gjyqtarin Sokoli është gjithçka e rregullt.

Pas 5 minutash, Ardit Krymi pengon mesfushorin Donjet Shkodra mbi vijën e zonës dhe gjyqtari Sokoli jep faull. Gjithsesi, Flamurtari nuk e shfrytëzon këtë situatë, pasi mbrojtja e Vllaznisë largon rrezikun.

Flamurtari kontrollon lojën, por pa konkretizuar volumin e krijuar. Nga ana tjetër, miqtë nga Shkodra e kanë të vështirë të organizohen dhe shfaqen shumë rrallë në portën e vlonjatëve.

Në të 37-tën, Vllaznia kalon në epërsi. Në të parën rast të rrezikshëm shkodranët gjejnë golin me malazezin Cicmil. Qendërmbrojtësi përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes vendase dhe ndëshkon portierin Halili pas një krosimi nga e majta. Një goditje si rrufe në qiell të hapur për formacionin vendas.

Goli i ka tronditur vendasit, të cilët në minutat e fundit të pjesës së parë nuk kanë rrjedhshmëri në lojë.

Fraksioni i parë mbyllet këtu, ndërsa i dyti nis me të njëjtat formacione që mbyllën gjysmën e parë të lojës. Interesant është fakti që pushimi nuk ishte plot 15 minuta, por zgjati rreth 2-3 minuta më pak. Thuajse gjatë gjithë kësaj kohe, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka qëndruar i vetëm në stol dhe nuk i është bashkuar skuadrës në dhomat e zhveshjes.

Me fillimin e së dytës, Flamurtari përpiqet të reagojë. Donjet Shkodra i beson të djathtës nga distanca, mirëpo gjuajtja e mesfushorit është krejt për t’u harruar.

Edhe Vllaznia shfaqet rrezikshëm në kundërsulm me kapitenin Shtubina, i cili kapet në pozicion jashtë loje.

Në të 55-tën, Danilo Alves dhuron spektakël me një kalim “alla brazilian” ndaj mbrojtësit Marku, por topi i hedhur në zonë prej tij nuk shfrytëzohet nga lojtarët e Flamurtarit.

Flamurtari përpiqet të zhvendosë lojën në mesfushën kundërshtare, por nuk arrin të shfrytëzojë goditjet e shumta standarde që fiton. Nga ana tjetër, Vllaznia luan kujdesshëm dhe provon të shfaqet e rrezikshme sapo i jepet rasti.

Cungu tenton të dalë patjetër me tre pikë nga Vlora, kur aktivizon mbrojtësin Endri Vrapi, në vendin e mesfushorit, Ivor Weitzer.

Në të 85-tën, mundësi e artë për Flamurtarin. Donjet Shkodra lëshon një të majtë të fuqishme nga distanca, e cila ndalet nga shtylla. Vlonjatët janë të pafat.

Vendasit nuk i ndalin sulmet dhe krijojnë një tjetër rast me sulmuesin Ivan Galiç. Kroati gjuan me kokë pas një krosimi nga e djathta, por gjuajtja e tij gjen të përgatitur portierin Agoviç.

Përpjekjet e fundit të Flamurtarit për të shmangur humbjen nuk sjellin rezultat. Danilo Alves tenton me të djathtën fluturimthi, por është i pasaktë.

Në fund, ka vend edhe për një dëmtim të portierit Argjent Halili, ku pëson një dëmtim në dukje të rëndë gjatë një rivënieje të topit në lojë. Portieri del me barrelë dhe vendin e tij e merr Frashëri.

Takimi nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Flamurtarin që nuk del aspak i kënaqur nga ky takim, ndërsa Vllaznia i gëzohet trepikëshit të marrë.

Suksesi i parë jashtë fushe e ngjit Vllazninë në kuotën e 15 pikëve. Kurse për Flamurtarin kjo është disfata e parë në shtëpi si dhe e para me Gentian Mezanin në stol. Kuqezinjtë mbeten të parafundit me vetëm 7 pikë.

Javën e ardhshme, Flamurtari luan në transfertë, në “Niko Dovana”, me Teutën, ndërsa Vllaznia ka një përballje të lehtë, të paktën në letër, pikërisht ndaj Korabit. /minuta90.com/

Flamurtari-Vllaznia 0-1

Goli: Cicmil 37’

Flamurtari: Halili (Frashëri 90’+3), Beqaj, Kuqi, Veliu, Rniç, Radoviç (Dushku 85’), Shkodra, Telushi, Zeqiri (Galiç 68’), Shehaj, Alves (në dispozicion: Gjinaj, Hoxhaj, Marku, Idrizaj) Tr: Gentian Mezani

Vllaznia: Agoviç, Gocaj, Cicmil, Bicaj, Marku, Weitzer (Vrapi 78’), Krymi, Bardulla, Çinari (Pepa 62’), Kalaja (Pjeshka 89’), Shtubina Tr: Armando Cungu

Gjyqtarë: Olsi Sokoli, Ergin Doda, Nertil Bregasi, Besnard Kaimi

Kartonë të verdhë: Shehaj 52’, Rniç 54’, Zeqiri 63’/ Krymi 25’, Bardulla 41’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.