Vllaznia reagon pas akuzave të Lekajt

0
SHPËRNDAJE

lekaj-top1DEKLARATË PËR SHTYP

KF Vllaznia është e shqetësuar nga sulmet e ndryshme që po i bëhen asaj në vazhdimësi në media. Rasti më i fundit është ai i sotmi, i futbollistit Senad Lekaj i cili duke shfrytëzuar lirinë e fjalës, lëshon akuza të rënda në drejtim të drejtuesve të mëparshëm të Vllaznisë në vite por aludon edhe për drejtuesit e sotëm. Administratori i KF Vllaznia sh.a Astrit Gjyrezi deklaron se: “Ne nuk mund të marrim përsipër mbrojtjen e drejtuesve të mëparshëm të klubit, por do të ishte mirë që futbollisti Senad LEKAJ nëse ka fakte, t’i bëjë ato konkrete me emër dhe mbiemër sepse do të ndihmonte shumë klubin për këtë gjë por edhe opinionin sportiv. Sa i takon periudhës së fundit, kam qenë unë që i kam dhënë mundësinë futbollistit në fjalë për t’u provuar tek skuadra ndonëse kishte vite që e bënte këtë gjë dhe asnjëherë se kishte kaluar provën. Si rrjedhojë, nëse ai nuk e ka bindur stafin, nuk ka pse të aludojë gjëra të tilla. Ai që vendos për merkaton se kush duhet të qëndrojë dhe kush të largohet, por që merr njëkohësisht edhe përgjegjësitë për të, është trajneri, të cilit asnjëherë nuk i është ndërhyrë në vendimet e marra. Nëse futbollisti në fjalë ka diçka për ndonjë drejtues tjetër të klubit, siç dhe aludon, ta thotë me emër e mbiemër. Në rast të kundert, nëse Senad Lekaj nuk mohon të ketë patur ndonjë problem të tillë gjatë periudhës që unë drejtoj klubin dhe të bëjë përgenjështrimin e duhur, atëherë diten e hëne do të përballet me mua në Prokurori sepse kurrsesi nuk mund të lejojmë askënd të përbaltë emrin tone por edhe atë te klubit Vllaznia”.

Ndërkohë trajneri Armando Cungu përmes kësaj deklarate për shtyp, bën me dije se askush nuk mund të luajë me emrin e tij personal por edhe të klubit që ai përfaqëson me të tilla deklarata e shkrime krejtësisht të pavërteta. “Se çfarë ka ndodhur më përpara, nuk marr përsipër t’i dal për Zot. Flas për periudhën që unë drejtoj këtë skuadër dhe nëse ka njeri që provon të kundërtën e ndershmërisë time, jam gati të ballafaqohem kudo me të. Jo vetëm kaq. Nëse dikush provon që një person në klub, i ka kërkuar rryshfet për të luajtur me Vllazninë, një rrugë të vetme ka: o iki une ose ai person ne klub qe ka marre qofte edhe nje kafe te vetme dikujt, nuk punon me aty. Unë nuk do të pranoja kurrë të punoja me njerëz të tillë.Për këtë duhet të jenë të bindur të gjithë. Askush nuk mund të luajë me emrin e Vllaznisë,askush nuk mundet të luajë me emrin e Armando Cungut dhe për më tepër me ndershmërinë e tij. Futbollistë të tillë që flasin kështu, pa dhënë asnjë provë, asnjë emër, por me një qëllim të vetëm: përbaljetjen e emrave të ndryshëm, nuk vlejnë për asgjë. Tek Vllaznia njeriu i vetëm që vendos për një futbollist nëse qëndron në skuadër apo jo, jam unë dhe këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Sa për histori të vjetra, ka patur kohë prej 7 vitesh t’i deklaronte këto gjëra sepse do t’i kishte bërë nder Vllaznisë, skuadrës që ai thotë se e ka patur ëndërr të vesh fanellën e saj”, është shprehur Cungu.

Në këtë mënyrë, KF Vllaznia u bën thirrje të gjithëve që të jenë më korrekt në qëndrimin që mbajnë ndaj këtij emri dhe të mos mundohen të përbaltin pa asnjë të drejtë emrin e mirë të saj.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.