Vllaznia ringrihet në “Niko Dovana”, Korabi rrugës për në të parën

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Vllaznia vijon me fitore dhe këtë e bën duke fundosur Korabin. Shkodranët triumfuan 2-0 në takimin hapës të javës së 22-të të Kategorisë Superiore.

Në “Niko Dovana” të Durrësit, aty ku të mërkurën u eliminuan nga Teuta në Kupë, kuqeblutë e trajnerit Armando Cungu gjetën fitoren me golat me anë të sulmuesve Elis Bakaj dhe Rubin Hebaj.

I pari shfrytëzoi një gafë të mbrojtjes dibrane në të 17-n, kurse i dyti bëri gjithçka mirë në zonë dhe vulosi suksesin e miqve dy minuta para fundit të kohës së rregullt.

Takimi nis i shpejtë, teksa sinjalin e parë e japin shkodranët. Elis Bakaj provon të befasojë portierin Laço, por e djathta e fantazistit shkon jashtë.

Eshtë minuta e 17-të dhe Vllaznia kalon në avantazh. Elis Bakaj përfiton nga një mosmarrëveshja mes mbrojtësve Sheta dhe Çela, dhe me një të djathtë të bukur nga hyrja e zonës mposht portierin Tedi Laço, teksa ky është goli i tretë për fantazistin me fanellën kuqeblu.

Pas golit, Korabi mundohet të reagojë, mirëpo është i paqartë. Nga ana tjetër, Vllaznia e kontrollon lojën me kujdes.

Dy minuta përpara fundit të pjesës së parë, Ardit Hoxhaj i bën mirë gjërat në të djathtë dhe kroson për sulmuesin Denis Peposhi në zonë, por dyshja e mbrojtjes së Vllaznisë, Bicaj-Vrapi është e vëmendshme dhe mbyll menjëherë hapësirat.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis pa asnjë ndryshim në formacionet e skuadrave.

Sapo nis fraksioni i dytë, Vllaznia zbret rrezikshëm me kapitenin Shtubina, por diagonalja me të djathtën e kapitenit nuk gjen pasqyrën e portës së Korabit.

Dy trajnerët si Gerdi Haxhiu dhe Armando Cungu bëjnë zëvëndësimet e tyre, teksa aktivizohen në lojë, Gavazaj, Kaloshi dhe Ivani për Korabin, ndërsa për Vllazninë futen në lojë Çinari, Hebaj dhe Dyca.

Ndërkaq, loja zhvillohet kryesisht në mesfushë dhe pa ritëm, ndërsa në të 75-tën, Korabi ka rastin më të mirë të ndeshjes. Kaloshi gjuan nga kufijtë e zonës, por e djathta e tij shkon ngjitur me shtyllën pasi devijohet.

Pas 4 minutash, Arlind Kalaja ka një mundësi të artë për të dyfishuar, por sulmuesi shkodran vonohet në gjuajtje dhe goditja e tij ndalet që në nisje.

Eshtë minuta e 88-të dhe dyfishon Vllaznia. Rubin Hebaj bën çfarë të dojë në zonën kundërshtare dhe, pasi ndalet fillimisht nga portieri Laço, e mposht në tentativën e dytë. 0-2.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori, me Vllazninë që reagon mjaft mirë pas atij eleminimi nga Kupa e Shqipërisë, ndërsa Korabi duket i dorëzuar tashmë pas kësaj humbjeje të disatë radhazi, që e fundos dhe e lë në vendin e fundit të renditjes.

Me këtë tripikësh Vllaznia barazon përkohësisht Tiranën (27), që nesër do të ndeshet me Partizanin në derbi. Në krahun tjetër, disfata e katërt radhazi e lë Korabin me vetëm 11 pikë në fundin e renditjes.

Javën e ardhshme, Korabi luan me Teutën në “Niko Dovana”, ku do të tentohet të paktën një pikë, ndërsa Vllaznia pret në “Loro Boriçi” Skënderbeun, teksa një pikë do të ishte mjaft pozitive. /minuta90.com/

Korabi-Vllaznia 0-2

Golat: Bakaj 17’, Hebaj 88’

Korabi (4-4-2): Laço, Shabani, Sheta, El. Prençi, Çela, Mziu (Ivani 85’), Arifaj, Kaja, A. Peposhi (Gavazaj 63’), D. Peposhi (E. Kaloshi 72’), Hoxhaj Tr: Gerdi Haxhiu

Vllaznia (4-5-1): Agoviç, Gurishta, Bicaj, Vrapi, Gocaj, Shtubina (Çinari 57’), Tafili, Krymi, Bardulla (Hebaj 74’), Kalaja (Dyca 90’+1), Bakaj Tr: Armando Cungu

Gjyqtarë: Laver Alla

Kartonë të verdhë: Gavazaj 70’ / Krymi 45’, Gocaj 64’, Vrapi 73’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.