VLLAZNIA/ Shtubina largohet, klubi konfirmoi mos plotësimin e dy kushteve financiare

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Vllaznia dhe Ndriçim Shtubina, një divorc i paralajmëruar ditë më parë. Klubi i ka mbyllur derën kapitenit, edhe pse ky i fundit ishte shprehur i hapur për të biseduar dhe gjetur mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me kuqeblutë. Drejtuesit e Vllaznisë vendosën ndarjen përfundimtare të rrugëve me lojtarin polivalent, të rritur në Akademinë e klubit dhe për dhjetë sezone ka mbrojtur ngjyrat e skuadrës, vetëm me një shkëpuetje në edicionin 2011-2012.

Edhe pse bëhej fjalë për elementin më të rëndësishëm të ekipit, jo vetëm për cilësinë dhe eksperiencën, por edhe prej sakrificës dhe aktivizimit deri në mbrojtje, te Vllaznia zgjodhën ti jepnin dokumentacionin, duke e bërë numrin 10, zyrtarisht lojtar të lirë. Drejtuesit e klubit nuk pranuan dy kushtet e vetme të vendosura nga Shtubina dhe që ndryshe nga sa u spekulua nëpër media nuk lidheshin me pretendimet financiare.

Duke vlerësuar se tashmë është në moshën 30-vjeçari, futbollisti kërkoi kontratë 2-vjeçare me klubin. Tjetër kërkesë ishte heqja e pikës në kontratë që lidhej me pagesën në bazë të minutazhit të aktivizimit. Një klauzolë e cila përdoret përgjithësisht për lojtarë të huaj dhe të paprovuar në kampionatin shqiptar.

Edhe pse lojtarët e tjerë dhe stafi teknik në Shkodër e kanë mbështetur Shtubinën, duke i cilësuar mëse normale kushtet e vendosura, drejtuesit e klubit vendosën përfundimisht që rrugët të ndaheshin. Argumenti ishte se klubi nuk mund të firmosë kontratë 2-vjeçare. Vendim që konfirmon se te Vllaznia vazhdojnë të mungojnë projektet afatmesme, duke bërë që në fillim të çdo sezoni të shfaqen të njëjtat probleme: ekipi rindërtohet pafundësisht, ndërsa prej vitesh rezultatet mungojnë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.