Vllaznia/ Superofertë nga turqit për privatizim

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Kalvari i Vllaznisë nuk ka fund dhe duket se në Shkodër nuk kanë ndërmend ndonjë plan ringjalljeje. Ndërkohë, gazeta zbulon se edhe një ofertë nga aksionerët e Bashakshehirit është refuzuar…

Futbolli është një lojë e thjeshtë: 11 djem kundër 11, një top mes tyre, fiton kush shënon më shumë. Ky është rregulli bazë i futbollit, por nuk mjafton dhe në kapitalizëm duhet shumë më tepër. Duhen financa, për të paguar lojtarët, duhen plane për të pasur një të ardhme të garantuar, duhen ide, për të gjetur mënyrën jo thjesht të mbijetesës, por edhe të suksesit, nëse je klub me emër. Nëpër botë shumë klube me emër vuajnë ose kanë vdekur, ndërsa shumë klube janë futur në hartën e futbollit të madh falë investimeve milionere, edhe nga Kina, Rusia, Amerika, apo sheikët që paguajnë me fuçi nafte. Po në Shqipëri? Skënderbeu ka ndërtuar një perandori në dekadën e fundit, ndërsa Tirana është një kategori më poshtë. Duhej të ishte një kambanë e fortë alarmi për klubet e tjerë, duke nisur nga klubet që financohen pjesërisht apo tërësisht nga bashkitë. Në  Vlorë prej pak vitesh ua kanë besuar administrimin e klubit turqve, në pritje të një privatizimi që është bërë makth, për faj të shtetit tonë. Ndërkaq, në Shkodër nuk i duan fare investitorët, as për administrim e as për privatizim. Nuk ëhstë hera e parë që dalin lajme të tilla, por ai që vjen nga Shkodra është vërtet i bujshëm: aksionerët e Medipol Bashakshehirit kërkonin të investonin te Vllaznia, por gjetën një “mur” përballë dhe muri quhet Bashkia Shkodër.

Vllaznia

OFERTA – Administrim, me synim final privatizimin. Ky ishte propozimi i investitorëve turq, të cilët u paraqitën në Shkodër me shpresa të mëdha. Duhet theksuar se Medipol Bashakshehir është tashmë një realitet i rëndësishëm në futbollin turk, duke u bashkuar me elitën e futbollit aty, aq sa sezonin e shkuar i shkoi shumë pranë titullit. Për seriozitetin e aksionerëve të këtij klubi mjafton të pyetet Sokol Cikalleshi, i cili ka qenë pronë e Bashakshehirit deri këtë verë. Gjithsesi, refuzim i prerë nga Shkodra, me përgjigjen e shkurtër: “Nuk ka hapësira ligjore”. Në fakt, se si ia kanë dalë mbanë në Korçë, për shembull, apo të paktën në Vlorë, ku Bashkia këto vitet e fundit ka kursyer qindra milionë lek, mbetet mister. Ndonjë telefonatë është e pamundur të bëhet, Korça e Vlora janë shumë larg dhe ndoshta nuk ka sinjal. Thelbi mbetet i njëjtë, Vllaznia është dhe do të qëndrojë e Bashkisë, që realisht shpenzon miliona kot, për ta thënë troç. Kujt i intereson një Vllazni e tillë, që i tërheq njerëzit në stadium vetëm kur luhet për jetë a vdekje kundër Tiranës, apo i gënjen me një fitore ndaj Lushnjes? Rruga aktuale është e gabuar, këtë e dinë të gjithë tashmë, por me sa duket milionat shpenzohen më lehtë për futbollin sesa për infrastrukturën e qytetit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.