Vllaznia – Tirana nën masa të rrepta sigurie

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Ndeshja, që vlen qëndrimin në Superiore, sipas të gjitha gjasave, që do të luhet nesër, në orën 17:00, në Loro Boriçi”, mes Vllaznisë dhe Tiranës, do të ketë mbikqyrje të rreptë policore. Drejtoria policore e kryeqendrës së veriut ka dalë sot, një ditë përpara, me një deklaratë për shtyp, ku bën me dije rrugët që do të bllokohen, masat që do të merren për kontrollin fizik të tifozëve në dyert e stadiumet, etj. etj: “Më datë 27.05.2017, ora 17.00, në qytetin e Shkodrës do të zhvillohet ndeshja kombëtare e futbollit, e vlefshme për kampionatin kombëtar të Superligës, ndërmjet ekipeve të F.K.Vllaznisë dhe F.K. Tiranës, në stadiumin “Loro Boriçi”. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër do të marrë një sërë masash teknike dhe organizative për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes kombëtare të futbollit, duke synuar një mbarëvajtje të aktivitetit sportiv. Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e qytetit Shkodër, që do ta ndjekin ndeshjen në stadiumin “Loro Boriçi”, se D.V.P Shkodër, për mbarëvajtjen normale të aktivitetit sportiv, do të marrë disa masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të, si më poshtë vijon:

1. Për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e Qytetit Shkodër, krahu perëndimor, rrugë e cila do të orientohet dhe monitorohet nga shërbime policore.

2. Nga ora 14:00, dt.27.05.2017, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, si dhe do të bëhet largimi i atyre të parkuara në këto akse rrugore: Në rrugën “Bujar Bishanaku” (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 15:00, dt.27.05.2017, do të ketë kufizim të qarkullimit rrugor. Rruga “Muhamet Dibra” deri te parkimi i stadiumit do të shërbejë vetëm për ekipet e futbollit dhe personalitetet. Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën përreth stadiumit nga ora 14:00 deri në orën 21:00.

3. Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se rruga “Bujar Bishanaku” do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozëve vendas.

4. Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 17:00 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 15:00.

5. Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet për respektimin dhe zbatimin e këtyre masave, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të: sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

6. Njoftojmë administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” që të tregohen mirëkuptues, duke i mbyllur ato në orën 14:00.

7. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon mirëkuptimin e komunitetit shkodran dhe drejtuesve të automjeteve, që të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportive, duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi kjo do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen e dhe garantimin e masave të sigurisë.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.