VLLAZNIA / Tregu vendas pa alternativa, synon të huajt

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Superiorja / Me sa duket, drejtuesit e klubit të Vllaznisë tani nuk do të fokusohen vetëm te tregu vendës për të kërkuar lojtarët që u nevojiten për sezonin e ardhshëm. Alternativat e pakta që janë në dispozicion i kanë detyruar ata që të hedhin sytë edhe jashtë vendit. Megjithatë, edhe kjo lëvizje ka vështirësitë e saj. Por kjo nuk mësohet se ka penguar drejtues të klubit që të hulumtojnë në këtë drejtim.

Edhe pse nuk ka një kampionat konkret se ku është përqendruar klubi për të marrë lojtarë të rinj, menaxherë të shumtë janë ofruar që të bashkëpunojnë me drejtuesit për të sjellë në skuadër futbollistët që nevojiten. Nisur edhe nga organika që ka momentalisht Vllaznia, kuqeblutë mund të afrojnë katër futbollistë të huaj, me të cilët, edhe me afrimin e ndonjë lojtari tjetër nga Superiorja, do të bëhej e mundur plotësimi i organikës.

Për këtë arsye, stafi teknik në bashkëpunim me drejtuesit e skuadrës janë në bisedime me disa prej lojtarëve të kampionatit tonë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë zyrtarizim dhe deri diku një gjë e tillë është shqetësuese. Kjo ka detyruar trajnerin Cungu që t’u besojë të rinjve që mbyllën sezonin e shkuar dhe të shikojë tregun e jashtëm. Megjithatë, frika se mund të gabohet me lojtarët nga jashtë vendit ekziston, duke parë edhe eksperiencën e viteve të kaluara.

Të rinjtë

Në një situatë kur te Vllaznia nuk ka ende asnjë futbollist të ardhur nga merkato, kanë dalë në skenë edhe emra futbollistësh që mund të largohen. Krymi, Pjeshka e Çinari janë në fokusin e disa klubeve dhe kjo ka sjellë jo pak shqetësime në klub, edhe pse ata kanë ende edhe dy vite kontratë.

Ndërkohë që përpjekjet nuk kanë ndalur për të afruar të tjerë futbollistë vendës, të cilët janë cilësorë, ndërsa mësohet se tre të sipërpërmendurit nuk do të lejohen që të largohen. Gjithsesi, në ditët në vijim, do të ketë dhe zhvillime sa u takon blerjeve të reja, që nuk pritet të vonojnë, pasi të gjithë ekipet e Superiores kanë nisur të lëvizin në këtë drejtim.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.