Ylli Shehu: Partizani e mposht Tiranën, Kukësi fiton me aleanca

0
SHPËRNDAJE

Partizani e kërkon me çdo kusht suksesin në derbi pasi në rast të një tjetër rezultati negativ diferenca me kryesuesit mund të thellohet edhe më tepër, dhe objektivi titull mund të kthehet në një ëndërr për “Demat e Kuq”.

Ish-sulmuesi i të kuqve, Ylli Shehu tani në postin e trajnerit të Partizanit U-19 në një intervistë thotë se 15 herë kampionët janë të detyruar për ta fituar këtë takim për vetë objektivin që kanë.

“Partizani ka një detyrim të madh ta fitojë këtë ndeshje. Gjithashtu edhe shanset i ka, pasi është më i përgatitur se Tirana, që nuk ka asnjë objektiv nga kampionati.

Tirana ka pasur dy ndeshje të vështira me Kukësin, ose mund të themi se kanë bërë dy ndeshje, ndërsa Partizani ka qenë pushim, duke qenë kështu më i çlodhur se kundërshtari dhe i ka shanset ta fitojë derbin”.

Edhe në këtë sezon titulli duket i vështirë për t’u rikthyer në kryeqytet, ish-sulmuesi flet me vlerësim për Kukësi në krye, por në të njëjtën kohë theksoi se verilindorët për shkak të aleancave po i fitojnë ndeshjet pa vuajtur shumë në fushë.

“Partizani është penalizuar shumë nga barazimet, siç ishte ndeshja e fundit që e bëri të largohet dy pikë nga kreu. Kjo është ajo që ka bërë diferencën me Kukësin, i cili ka edhe aleancat e veta.

Kukësi po i merr disi më lehtë pikët, nuk është se po shtrëngohet për t’i fituar. Megjithatë, në Shqipëri kështu është, me aleanca.

Ka kohë që titulli merret kështu”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i U-19 te Akademia e Partizanit, Ylli Shehu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.