Zbrazet Kushta: Ja si e shoh Flamurtarin dhe Kombëtaren

0
SHPËRNDAJE

Sokol Kushta
Sokol Kushta

Flamurtari është në udhëkryq, sepse pritet një ndëshkim nga FSHF-ja për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj lojtarëve e ish-trajnerit. Pritej shumë nga kjo skuadër, por këto probleme sjellin në vëmendje një dimension tjetër të futbollit tonë, ku problemi fshihet dhe për zgjidhje nuk mjafton as federata. Si pjesë e komunitetit të futbollit, për më tepër vlonjat, cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Ka shumë gjëra që nuk i kuptoj. Nuk e di pse ndodhin këto. Në mendjen time kam ngritur shumë “pse” për këto probleme. Dëgjoj në media “jo u takuan, jo s’u takuan”. Shumë pikëpyetje ngrihen, më së pari kush i ka bërë këto kontrata? Pra janë një sërë problemesh. Dikush mund të thotë s’është problemi yt? Dakord, por unë jam më shumë se sportdashës dhe shqetësohem. Mua më shqetëson fakti pse flitet tani për kontratat dhe jo më parë. Janë disa pika të errëta në këtë çështje. Madje, ka shumë pikëpyetje. Një klub mund të bjerë edhe nga kategoria, padyshim, por të biesh nga kategoria për shkaqe të tilla më duket shqetësuese dhe kërkohet hetim. Këtu problemi është mbi të gjitha moral, se problemi është mbajtur i fshehtë, ka anë të errëta që duhen sqaruar.

E megjithatë, ka pak njerëz që bëjnë kritikë për gjendjen…

Dikush duhet të flasë për këtë dhe unë kam folur sepse e dua futbollin dhe ekipin e qytetit tim, unë kam një emër. Unë mendimet dhe këshillat e mia i jap falas, ndërkohë që ka njerëz që punojnë në klub e marrin para për të dhënë këshilla e nuk e bëjnë. Marrin lekët për të dhënë zgjidhje e nuk japin asnjë zgjidhje. Nuk e kuptoj se si disa shokë të mi arrijnë të bëhen palë me gjendjen. Të bëhesh palë në këtë lloj situate është gjëja më negative. Çfarë përfitimi do të kishte Sokoli nëse flet kështu? Asnjë përfitim, unë them atë që shoh e dëgjoj. Kam prej tre vjetësh që ngre zërin dhe askush nuk dëgjon, askush nuk reflekton. Dëgjoj lojtarë që kanë pa marrë nga 30 e 40 mijë euro. Unë nuk e kuptoj këtë gjendje. Çfarë duhet të ndodhë më shumë që njerëzit të flasin. Pronare e klubit është bashkia, ajo delegon administrimin. Ekipi është dhënë, le të themi me qera, por nëse nuk funksionon gjërat duhet të ndryshojnë. Pra, ajo që ndodh sot me Flamurtarin mund të përmblidhet në këto fjalë: gjendja e ekipit katastrofë, organizimi katastrofë, gjithçka rreth kësaj skuadre një katastrofë. Për mua si njeri të lidhur me futbollin vlonjat, kurrë ky klub nuk ka pasur më shumë borxhe. Unë nuk e kuptoj xhanëm: pse duhen blerë lojtarë kaq të shtrenjtë kur s’ke lekë? Gjoka ishte trajner i Flamurtarit. E hoqën… pse e hoqën, sepse ai po punonte mirë. Tani del kontrata e pashlyer. Një klub serioz duhet ta dijë gjendjen, se këto janë çështje të mprehta.

Nuk desha të linim jashtë vëmendjes atë që ndodh aktualisht me Kombëtaren. Ka disa gjëra që evidentohen. Së pari skuadra nuk është aq bindëse sa ishte në kualifikueset e Europianit. Ndërsa për De Biazin ka ankesa, pra me trajnerin gjërat nuk janë si më parë. Ndodhemi në prag të një ndeshje të rëndësishme si ajo me Izraelin. Çfarë duhet të presim? Cili është parashikimi juaj?

Unë dua ta nis nga ndeshja me Spanjën, të cilën e pashë nga afër. Kam dy gjëra për të kritikuar De Biazin rreth kësaj ndeshjeje. Dakord, ne mund të humbnim me Spanjën edhe me rezultat më të thellë, por jo në këtë formë, jo me këto parametra. Mua nuk më pëlqeu deklarata e De Biazit që një ditë para ndeshjes, ku tha do të parkoj autobusin, madje pa rrota. Kjo ishte diçka e gabuar. Mua më pëlqen De Biazi si trajner, por në fushë patëm 6 lojtarë që nuk lëviznin fare. Më mirë të luanim hapur dhe ndoshta do ta kishim vënë në vështirësi Spanjën. Por jo, unë besoj se ne kapitulluam ende pa nisur ndeshja. Ekipi bëri siç tha trajneri dhe rezultatin e dimë. Natyrisht, ndeshja pati anë pozitive dhe negative. Mbi ecurinë e përgjithshme të skuadrës në këto eliminatore desha të ndalem pak edhe në takimin me Maqedoninë. Dikush mendon se ata janë të lehtë. Jo, nuk është kështu. E treguan edhe në takimin me Italinë që kanë një ekip të mirë. Ne bëjmë diferencë me ata vetëm kur realizojmë 100% detyrat tona. Mendimi im është të qëndrojmë me këmbë në tokë. Që të marrim rezultatin e duhur nevojitet që t’i llogarisim kundërshtarët si më të mirë, sepse kështu motivohemi dhe luajmë me kujdes. Unë mendoj se edhe ndaj Maqedonisë mund të rrezikonim, por fati na buzëqeshi në atë formë si erdhi fitorja.

Dueli me Izraelin?

Izraeli është në një nivel me ne. Nuk kam shumë besim në këtë ndeshje. Ishalla dalim barazim, sepse kushtet janë ashpërsuar.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Mua s’më bën të lumtur fakti që ekipi nuk funksionon i qetë, madje për mua është turp të diskutohet. Janë shumë gjëra që do ta vështirësojnë këtë ndeshje.

sokol_kushta_1Është fjala për debatin e krijuar me trajnerin dhe kritikat ndaj tij…

Pikërisht, De Biazi arriti suksese që të tjerët nuk i kanë arritur. Unë s’mund ta ndryshoj historinë. Ndryshe i bie që gjithçka arritëm paska qenë e rreme, se ndeshjet nuk u fituan nga De Biazi por në mënyra të tjera, se paskemi pasur gjëra që nuk i kemi ditur. Jo u shit, jo u ble e ku di unë. Pra këto gjëra nuk mund të pranohen, s’mendoj se mund t’i pranojnë edhe drejtuesit e FSHF-së. Së dyti, pse duhet të bëjmë çdo gjë negative rreth De Biazit? Ato që kam dëgjuar të fliten për trajnerin nuk më pëlqejnë. Tekniku gabon, dakord, edhe unë mendoj se ndaj Spanjës ai gaboi, por, kush është ai që nuk gabon? Ne mund ta kritikojmë atë, por jo ta sulmojmë. Me pak fjalë, janë ngritur ca gjëra rreth De Biazit që mua s’më pëlqejnë dhe nuk i ndjej pozitivisht këto sinjale.

Po, por nuk duhet të harrojmë se zanafilla është që në përzgjedhjen e lojtarëve në Europian dhe sidomos largimi i disa lojtarëve kosovarë si Rashica, apo dhe problemi me Kaçen. A nuk është kjo një shtysë?

Kohët e fundit çdo gjë rreth De Biazit ka ndryshuar. Edhe trajneri është bërë shqiptar, madje ai ka mësuar edhe shqip. Atij nuk i vjen mirë kur e kritikojnë. Por, për mendimin tim, të gjitha këto nuk sjellin harmoni. Ai i dëgjon kritikat dhe nuk i vjen mirë që i fusin shkopinj nën rrota. Dakord, gaboi me Spanjën, por edhe Murinjo gabon. Që ta them hapur, mënyra se si e kritikojnë më duket jo e drejtë. Trajnerët gabojnë, nuk është fundi i botës. Edhe me mua kanë gabuar trajnerët. Sa për lojtarët, largime ka, mund edhe të ketë, trajneri do të përzgjedhë. Për mendimin tim, Memushaj është një futbollist që bën diferencë, fjala vjen, por dihet se zgjedhjet i bën trajneri. Ne të mos merremi me episodet, por me atë çfarë ka bërë De Biazi. I mblodhi lojtarët, i seleksionoi dhe u dha mundësinë. Ai ka pikëpamjet e tij si trajner për lojtarë të veçantë, por unë nuk mund të pranoj të minimizosh punën e tij, ta nënvlerësosh arritjen e tij. Më duket tejet e gabuar.

Çfarë mund të presim nga ekipi?

Kombëtarja është një familje dhe si e tillë nuk besoj të ketë qetësi. Megjithatë, unë uroj që të sigurohet qetësia. Unë dua që trajneri të lejohet të punojë dhe nuk dua që De Biazi të jetë, fjala vjen, drejtor teknik. Ai di të bëjë vetëm rolin e trajnerit dhe duhet lënë të punojë. E gjitha funksionon si sistem zinxhir, ekip-trajner-federatë etj. Dhe kur prishet një hallkë, prishet e gjitha, shkërmoqet gjithçka. Unë nuk mund të them se do të mundim Italinë, por e di mirë që s’do ta kemi të lehtë as me Izraelin. Duhet harruar çfarë ndodhi me Spanjën dhe të fokusohemi totalisht tek dueli me Izraelin, me shpresën se do të marrim më të mirën.

Që ta mbyllim sërish me Flamurtarin, pasi po kalon një moment delikat. Si mund t’ia vëmë emrin të gjithë kësaj që po ndodh?

Kjo që po ndodh me Flamurtarin është një skandal. Dua të them për shembull se është keq, shumë keq apo fjalë të tilla, por jo, kjo është një situatë skandaloze. Domethënë po dalin të palarat. Bashkia hesht, Prokuroria hesht, tifozët janë të zhgënjyer, Vlora e tërë e zhgënjyer. Dëgjoj shumë njerëz, dashamirës të futbollit, që nuk shkojnë në stadium. Hapen dyer e dritare, por nuk shkojnë se janë këto probleme që bëjnë të të humbasë besimi. Unë gjërat i them pa negativitet, pa xhelozi, për të dhënë një këshillë pozitive. Çfarë do të përfitoj unë nga kjo? Asgjë, unë kam arritur gjithçka në karrierën time. Unë nuk marr asgjë nga shteti, përkundrazi, më kënaq ideja që njerëzit e thjeshtë më kuptojnë. Parimi im në jetë është: punëtori paguhet. Kështu duhet të bëjë edhe Flamurtari. Për këto ngjarje që ndodhin tek klubi vlonjat duhet të ketë një hetim të kujdesshëm, duhet ndërhyrje e Prokurorisë.

Nga Adriatik Balla/Agjensia e Lajmeve Sot News

S'KA KOMENTE

Comments are closed.