Ze Maria: Doka ka shumë për të mësuar. Duhet kujdes ndaj çdo kundërshtari

0
SHPËRNDAJE

Kategoria e Parë/ Dështimi përballë Bylist duket se i ka shërbyer Tiranës për të kuptuar se rrugëtimi për kthimin drejt Superiores, edhe pse në letër i thjeshtë, duhet fituar në fushën e lojës. Për këtë është i ndërgjegjshëm mbi të gjitha trajneri Ze Maria i cili ka bërë të qartë se futbollistët e tij e kishin kuptuar këtë mësim dhe do të hynin në ndeshjet e tjera me një tjetër motivim.

“Kemi humbur sepse nuk luajtëm të motivuar dhe nuk bëmë asgjë nga çfarë kishim përgatitur në stërvitje gjatë javës. Lojtarët e kanë kuptuar atë që ndodhi dhe e rëndësishme është që u vjen turp për gabimet që kanë bërë. Kemi diskutuar dhe e kemi analizuar humbjen me Bylisin. Nuk mund të lejoj më asnjë skuadër të na mundë në shtëpinë tonë. Këtu jam unë dhe këtu ligjin e bëj unë, ky duhet të jetë parimi për çdo futbollist kur zbret në fushë”, tha ai në konferencën e sotme për shtyp.

Sipas teknikut, ndaj Apolonisë do të shfaqet Tirana e vjetër, ajo që nuk gabon më dhe është e klujdesshme ndaj kujtdo.

“Neser nuk do lejoj të ndodhi kurrsesi një ndeshje e atillë. Ky klub, kjo fanellë që lojtarët mbajnë veshur nuk meriton ndeshje si ajo. Lojtarët e dinë që duhet të japin shpirtin në fushë. Për mua nuk ka rëndësi ku luajmë dhe me kë kundërshtar luajmë. Është Apolonia, Partizani apo Skënderbeu unë lojtarëve të mi do t’u kërkoj të fitojnë gjithmonë, sepse luajnë në klubin më të titulluar në Shqipëri. Nuk kanë alternativë tjetër, të fitojnë duke respektuar kundërshtarët”, vijoi braziliani.

I pyetur nëse do të kishte ndryshime në formacion, ai nuk dha sinjale se cilat do të ishin. Por ndërkohë, nuk mungoi një sinjal i qartë për Albi Dokën, i cili me sa duket ka nevojë të kthehet me këmbë në tokë.

“A do të ketë ndryshime në formacion? Ndoshta por duhet të shohim nesër për më tepër. E sigurt është se do të ketë diçka ndryshe. Albi Doka?! Kur erdha këtu pashë që kishte prekur qiellin me dorë. I kërkova klubit të mos e largonte pasi ai ka shumë për të mësuar dhe nga mua mund të marrë. Është si një diamant që duhet përpunuar. Ka bërë ndeshje të mira dhe ndeshje mesatare. Ka shumë për të mësuar dhe me punë mund të bëhet lojtar i mirë për Tiranën”, ishin fjalët e Ze Marias.

Ze Maria
Trajneri i Tiranës Ze Maria në konferencë për shtyp
Ze Maria

S'KA KOMENTE

Comments are closed.