Ze Maria rrit “pazarin”: Kam refuzuar dy oferta nga Rumania për Tiranën

0
SHPËRNDAJE

Një “derbi” Milan-Inter në… Turqi. Një ish-lojtar i Interit, Ze Maria dhe një ish i kuqezinjve, Kosmin Kontra, janë takuar sërish me njëritjetrin. Kësaj radhe jo në fushë kundër njëri-tjetrit, por tashmë në rolin e trajnerëve.

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, së bashku me ekipin bardheblu kanë ndjekur dje nga afër miqësoren mes Skënderbeut dhe skuadrës rumune Vitorul, të zhvilluar në Antalia.

Sfida është ndjekur edhe nga trajneri i Kombëtares rumune, Kosmin Kontra, i cili është në kërkim të talenteve për përfaqësuesen. Gjithashtu, braziliani i Tiranës ka takuar edhe një tjetër ish-lojtar të njohur rumun, George Haxhi, i cili është trajner i Vitorulit.

Në një prononcim për portalin “gsp.ro”, trajneri i Tiranës zbuloi ofertat që ka pasur gjatë muajve të fundit kur ka marrë drejtimin e skuadrës bardheblu.

Tekniku ka pasur një eksperiencë më parë në Rumani, ku ka drejtuar ekipin e Keahlaulit. “Mund të isha kthyer në Rumani, pasi kam pasur dy oferta.”

“Njëra ka qenë nga një prej ekipeve të Bukureshtit, ndërsa tjera nga një provincë. Por unë jam nën kontratë 2- vjeçare me Tiranën”, është shprehur braziliani që drejton kryeqytetasit.

Në fund të ndeshjes së Skënderbeut, Ze Maria është takuar dhe ka shkëmbyer biseda për disa minuta me ish-kolegun George Haxhi.

Ndërsa ka treguar edhe në lidhje me rivalitetin që ka pasur në Itali me Kosmin Kontrën. “Kam luajtur shpesh kundër Kontrës në Itali dhe e njohim njëritjetrin shumë mirë. Fatkeqësisht nuk kam luajtur kundër Haxhit, por si trajner e kam takuar kur isha te Keahlauli.

E njoh edhe Mutun gjithashtu, pasi ka pasur shumë lojtarë rumunë gjatë të gjithë kohës në Itali. Më vjen keq për çfarë ka ndodhur me Keahlaulin, pasi u largova që aty.

Ishte një qytet i bukur me njerëz të mirë dhe një ekip cilësor”, u shpreh trajneri i Tiranës në prononcimin e tij për portalin rumun. Për trajnerin bardheblu është përfolur në disa raste se ka pasur oferta të ndryshme qoftë nga Rumania apo edhe shtete të tjera.

Tashmë, është vetë tekniku që e konfirmon një fakt të tillë duke sqaruar gjithashtu se i ka refuzuar dy të tilla. Prej disa ditësh, ekipi është zhvendosur në Antalia të Turqisë, ku po zhvillon fazën përgatitore.

Tirana do të qëndrojë deri kur të rinisë kampionati dhe gjatë kësaj periudhe do të luajë edhe disa miqësore.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.