Zëdhënësja e FSHF heq postimin për De Biazin

0
SHPËRNDAJE

FSHF/ Zëdhënësja e institucionit të futbollit shqiptar, Jona Dervishi, ka hequr dje nga adresa personale në rrjetin social “Facebook” postimin e bërë dy ditë më parë, në lidhje me deklaratat që kishte dhënë për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. Mesa duket, pas komenteve të shumta negative të tifozëve për shprehjen e Dervishit, “se Shqipëria e bëri të famshëm De Biazin”, drejtoresha e zyrës për shtyp në FSHF ka bërë “mea culpa”, duke fshirë në këtë mënyrë postimin nga “Facebook”-u.

Jona Dervishi dhe Gianni De Biasi
Jona Dervishi dhe Gianni De Biasi

Në këtë të fundit shkruhej: “Shoh që më kanë nxjerrë në gazeta dhe portale ‘online’, ndaj dua të bëj një sqarim. Xhani De Biazi është trajneri Kombëtares sonë, strategu i fitoreve dhe unë kam fatin të punoj me të, sepse ka ndikuar për ëndrrën tonë drejt Europianit dhe unë dua t’i them ‘Grazie Mister!’. Por, është njësoj e vërtetë dhe e ritheksoj që në vendin tonë famën ose emrin ia dha Kombëtarja, pikërisht si trajner i saj, sepse jo gjithnjë duhen vetëm skema, por sepse kemi lojtarë të zotë që luajnë si gladiatorë në realizimin e kësaj skeme.
Mos më keqpërdorni mënyrën sesi jam shprehur dhe atë ç’kam dashur të nënkuptoj!”. Vlen të theksohet se deklarata e Dervishit ka shkaktuar një reagim të fortë nga opinioni sportiv, madje ka reaguar edhe ish-sulmuesi i shquar i Kombëtares, Sokol Kushta, i cili ka theksuar se FSHF-ja duhet të rinovojë me De Biazin.

“De Biazi ka një statistikë të shkëlqyer, një punë të admirueshme, që jo një zëdhënëse 22-vjeçare, por asnjë, qoftë edhe personalitet futbolli, nuk e mohon dot. Ne duhet të jemi mirënjohës për punën e De Biazit dhe ta respektojmë për çfarë ka sjellë deri më tani. FSHF-ja duhet të krijojë mundësitë që të rinovojë me këtë trajner”, pat thënë Kushta gjatë një bisede për “Panorama Sport”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.