Zgjidhet Presidenti i Federatës së Peshëngritjes

0
SHPËRNDAJE
Loading...

peshengritje-elez-gjoza-gudar-beqiraj-viron-bezhani-me-kembe-2016-470x338Elez Gjoza do të jetë president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes edhe për katër vitet e ardhshme. Verdikti 15-5 me vota në favor të tij u dha paraditen e djeshme në Asamblenë Zgjedhore të zhvilluar në qytetin e Vlorës. Në sfidën për president, Gjoza do të dilte fitues ndaj kandidatit tjetër, Theodhor Masllavica.

Veç anëtarëve të Asamblesë, të pranishëm në procesin zgjedhor ishin edhe 4 kandidaturat për postin e presidentit të FSHP-së, Elez Gjoza, Muharrem Berisha, Ilir Topuzi dhe Theodhor Masllavica. Sekretari i Përgjithshëm, Agron Haxhihyseni, ka drejtuar Asamblenë, i cili paraprakisht sqaroi kriteret bazë për zgjedhjen e presidentit, kryesisë së re dhe sekretarit.

Punimet e djeshme u ndoqën nga afër nga zëvendësministri i Arsimit dhe Sporteve, Rauf Dimraj, shefi i Sportit Elitar në MAS, Arjan Konomi, dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it, Skënder Anxhaku. Njëherësh pjesë e Asamblesë ishin edhe përfaqësues të ekipeve shqiptare të peshëngritjes, si Flamurtari, Studenti, Shtërmeni, Tirana, Vllaznia, Teuta, Apolonia etj.

Punimet e Asamblesë u zhvilluan në normalitet, por që nuk munguan edhe debatet mes kandidatit Gjoza dhe trajnerit Leonard Toska. Ata u kujtonin përfaqësuesve të klubeve për zbatimin me përpikëri të kritereve. Drejtimin e Asamblesë me propozimin e përfaqësuesve të saj e marrin 3 anëtarët e Asamblesë Endri Karina, Artur Lagja dhe Edlir Mema.

Sipas procedurës, u bë verifikimi i mandateve nga noterja. Më tej të 4 kandidatët për president kanë shpalosur objektivat e tyre. I pari që mori fjalën ishte Theodhor Masllavica, i cili kërkoi mbështetjen e Asamblesë për të krijuar një federatë të modelit europian për peshëngritjen shqiptare. Më pas kandidati Muharrem Berisha tërhiqet nga gara për president dhe propozon që garën ta vazhdojë Gjoza dhe Masllavica.

Njëherësh tërhiqet nga kandidimi për postin e presidentit edhe Ilir Topuzi. Në fjalën e tij të gjatë përpara të mandatuarve Elez Gjoza bëri një analizë për periudhën që ka qenë president. Ai vuri theksin se e gjeti federatën me 70 milionë lekë borxhe, por që, sipas tij, nuk e pengoi të arrinte suksese së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Muharrem Berishën.

Pas fjalimeve nga kandidatët ka ardhur momenti i votimit, i cili ka kaluar i qetë dhe pa asnjë moment tensioni. Në fund të votimit u shpallën rezultatet ku Elez Gjoza triumfoi me 10 vota më shumë se kandidati tjetër Theodhor Masllavica. Pra, 15 vota shkuan për Gjozën dhe 5 vota për sfidantin e tij.

Ndërkohë nuk votuan përfaqësuesi i Tomorrit, i cili nuk mori pjesë në Asamble dhe përfaqësuesi i gjyqtarëve, Gudar Beqiraj, i cili ishte pa të drejtë vote. Pas një pushimi të shkurtër u bënë edhe zgjedhjet e kryesisë, ku interesimi nuk ishte po aq i madh sa zgjedhja e presidentit. Në zgjedhjet për kryesinë munguan 4 delegatë. Nga 17 kandidatura të propozuara fitues u shpallën 8 kandidatë dhe sipas rregullores, automatikisht presidenti është pjesë- tari i 9-të i kryesisë/Kastriot Brahimaj/Panorama Sport

S'KA KOMENTE

Comments are closed.